Shqipëria

Shqipëria nuk po e ndjek shembullin e Gjermanisë për luftimin e COVID 19

Mjeku shqiptar, Ermal Xhaho, ka zbuluar arsyen përse Gjermania ka një numër të madh të infektuarish nga koronavirusi, por me një vdekshmëri të ulët.

Ai tha se strategjia e Gjermanisë është testimi masiv dhe kjo ka ndikuar në ndalimin e përhapjes së sëmundjes. Ndërkohë, në spitale nuk ka panik dhe të shtruarit po trajtohen me kujdes, përcjell albinfo.ch.

Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, mjeku Ermal Xhaho tha: “Testimi agresiv është një masë e mirë parandaluese e vërtetuar, ndaj edhe Gjermania e ka fokusin shumë të lartë te kjo pjesë. Këtu shmangen infektimet e reja. Pra, një person që diagnostikohet në fazën e hershme pa pasur simptoma, duke qenë se ka qenë në kontakt me dikë tjetër, ose në simptoma të lehta mund të testohet, mund të shmangë edhe testimin e shumë personave të tjerë”.

Mjeku Xhaho që jeton në Gjermani tha se Shqipëria ka bërë testim relativisht të ulët, pasi deri në këto momente janë testuar 3877 raste të dyshuara në Shqipëri.

Ndër të tjera shpjegoi se një pacient që ka qenë i infektuar, por nuk ka shfaqur shenja, nuk përbën më rrezik për përhapje nëse është në fazën e fundit. Deri tani, Gjermani ka 127,854 të infektuar dhe 3,022 viktima. Ndërsa në vendin tonë janë raportuar 23 viktima dhe 446 raste me koronavirus. /noa.al