Tematike
Mjeku shqiptar në Vjenë rrëfen përvojën e tij me koronavirusin
Për albinfo.ch flet doktor Esmir Zenuni, specialist i mjekësisë së përgjithshme, i cili punon në spitalin ku u paraqit rasti i parë i infektimit me koronavirus në Austri
Esmir Zenuni është mjek në specializim për mjekësinë e përgjithshme në “Donauspital”, në njërin nga spitalet më të njohura të Vjenës. Ekskluzivisht për “albinfo.ch”, ai tregon për “luftën” mjekësisë austriake kundër virusit Covid – 19 si dhe na jep rekomandime se si duhet ta përballojmë këtë situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon e gjithë bota.
Albinfo.ch: Ju jeni duke punuar në njërin nga spitalet më të mëdha në Vjenë . Numri i të infektuarve në Austri është duke u rritur dukshëm. A mund të na thoni konkretisht se si është situata në përgjithësi, si po e përjeton Austria këtë situatë?
Esmir Zenuni: Për momentin numri i të infektuarve është 1132 (ora 14:00, datë 17.3.) dhe si duket, numri do të rritet dukshëm edhe në ditët e ardhshme. Situata është stabile dhe institucionet austriake janë të përgatitura në mënyre maksimale. Qeveria ka kërkuar nga qytetaret, që të “vet-izolohen” në banesat/ shtëpitë e tyre dhe të reduktojnë sa më shumë kontaktet sociale me të tjerët. Vetëm institucionet me rëndësi jetësore duhet të punojnë sipas orarit të rregullt, të gjithat tjerat (Gastronomia, dyqanet jo ushqimore, vendet publike, vendet sportive, etj.) janë të detyruara të mbyllen për të paktën dy javë.
Austria është në një gjendje të jashtëzakonshme. Deri më tash janë 1132 persona të infektuar, ndër ta 4 persona të vdekur. Duket se numri i të infektuarve është në rritje. Sa është në gjendje ta përballojë këtë shifër mjekësia austriake?
Austria si dhe shume shtete tjera në BE, gjendet në situatën afër “Point of no return”, domethënë që rritja e të infektuarve me Virusin (Covid -19) është duke u bërë në mënyrë të shpejtë dhe për këtë arsye po merren masa të jashtëzakonshme për ngadalësimin dhe ndaljen e rritjes së këtij virusi, për të pasur ende nën kontroll trajtimin e pacientëve. Këtu luan rol të madh edhe afërsia me Italinë, ku Covid-19 ka shpërthyer në mënyre ekstreme, sidomos në veriun e shtetit italian. Nga aty Austria për shkak afërsisë ka pasur një “shpërthim” jo të kontrolluar në disa vende, si për shembull: në Tirol, ku kemi më së shumti infektime në shtetin austriak.
Austria ka 64.000 shtretër në të gjithat spitalet, ndër ta janë rreth 2500 shtretër për trajtim intensiv. Mirëpo ky numër mundet të rritet, varësisht nga nevoja e qytetarëve, duke krijuar kështu edhe shtretër për trajtim në hapësira jo spitalore. Për momentin Ministria e Shëndetësisë është e gatshme edhe për shifra më të larta.
Dikush po e merr me panik këtë virus, disa të tjerë me sportivitet, thjesht një grip. Në fakt cila është e vërteta?
Me qenë se është virus i ri për imunitetin tonë, mundësitë për komplikime të shëndetit tonë janë më të mëdha, kryesisht për shtresat e moshuara (60 vjet e sipër) dhe për të sëmurët kronikë. E vërteta është aty, që të dyja (gripi dhe Covid -19 ) kane ngjashmëri klinike, si në përhapje dhe në letalitet. Për fat të mirë tek gripi sezonal ekzistojnë vaksinat adekuate si dhe terapi anti-virale, kurse të Covid – 19 nuk kemi as vaksina, as terapi antivirusale të pranuar shkencërisht.
Para se ta fillonim bisedën, më thatë se rasti i parë i infektuarve ka ndodhur pikërisht në spitalin dhe repartin ku ju punoni. A mund të na tregoni se si ndodhi zbulimi i këtij rasti?
Me qenë se kishte simptoma të gripit sezonal, ku testi virologjisë ishte dy herë negativ, atëherë si alternativë, është testuar edhe për Covid – 19, i cili për fat të keq, doli pozitiv. Nga aty filloi pothuajse marrja e masave te proklamuara nga Ministria e Shëndetësisë të Austrisë. Në repartin tonë, nga ajo paciente rezultuan të dalin pozitivë edhe disa persona, që kishin kontakte me të, prej të cilëve edhe disa mjeke dhe personel tjerë te repartit.
Njerëzit po pyesin që, pasi kanë simptoma të gripit, ndoshta mund të jenë edhe të infektuar, por kanë mangësi informacioni. Ku duhet të drejtohen fillimisht në Austri, si duhet bërë testin e koronavirusit, dhe sa zgjat deri në daljen e rezultateve?
Nëse një person dyshon të këtë pasur kontakt apo të këtë simptoma të deklaruara nga Ministria e Shëndetësisë (temperaturë të lartë, kollitje, vështirësi në frymëmarrje dhe shenja tjera si të gripit sezonal) mund të paraqitet në numrin 1450 ose të marrë në kontakt telefonik mjekun e shtëpisë. Për komunitetin shqiptar ekziston po ashtu mundësia të kontaktohet edhe ordinanca e Dr. Xhevdet Zenunit në Vjenë (numri: 01/4862580). Testi mund të bëhet në spital dhe rezultatet dalin pas disa orëve (6-8 orë). Po ashtu ekziston mundësia për persona që nuk kanë telefona mobilë të kontrollohen në shtëpitë e tyre përmes “Ärztefunkdienst” – Numri: 141.
A keni informacione, a ka ndonjë shqiptar në Austri të prekur nga ky virus?
Deri tani unë personalisht nuk kam informacione të tilla.
Përafërsisht, sa kohë do të duhej për të dalë nga kjo krizë shëndetësore?
Sipas rrjedhave të deritashme dhe duke u krahasuar me shtetet e tjera përreth dhe me përvojën që pati Kina, (ku u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019), duhet të kalojnë së paku 2 muaj, që të kthehet gjendja në normalitet. Por kjo është vetëm prognozë e momentit.
Doktor, tash ditëve të fundit po dalin lajme se janë zbuluar disa vaksina të ndryshme kundër virusit. A ka diçka të vërtetë dhe sa u duhet besuar këtyre lajmeve?
Deri më tani nuk është e njohur se ka dalë ndonjë vaksinë e cila mund të përdoret në mënyrë efektive për ta parandaluar infeksionin. Sipas informacioneve, ekzistojnë përpjekje maksimale për të gjetur vaksinën apo ilaçin kundër këtij virusi. Por mos të harrohet, që për të lejuar një vaksinë apo një medikament antivirus në Austri, duhet të respektohen kriteret mjaft të ashpra dhe të përpiluara nga Ministria Evropianë e Shëndetësisë (BE), qe sipas praktikave deri tashme, zgjasin mjaft gjatë.
Si duhet të ruhemi nga virusi dhe çfarë të përdorim?
Së pari rekomandohet që të përfillen të gjithat masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë të vendit: 1. Dalja nga shtëpia vetëm në raste të jashtëzakonshme 2. Reduktimi i grumbullimit të njerëzve dhe kontakteve sociale. 3. Respektimi i masave higjienike: larja dhe dezinfektimi i duarve pas çdo kontakti. Përdorimi i maskave higjienike. 4. Kujdes të veçantë ndaj kontaktit me të sëmurët kronikë dhe te moshuarit (mbi 60 vjet). 5. Te ndalohen gjithat vizitat spitalore, familjare dhe sociale. Në qoftë se keni simptoma dhe infeksion me Covid – 19, rekomandohet terapia aktuale si te gripi sezonal: Pirja e mjaftueshme e lëngjeve me vitamina, barna për uljen e temperaturës, etj. Në qofte se keqësohet gjendja, të kontaktohet 1450!
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane