Integrimi

Shqiptarja dhe austriakja nderohen me çmimin „Nermin Vlora Falaschi”

Humanistja austriake Marianne Graf dhe mjekja shqiptare në Austri,  dr.Gozime Sula u nderuan me çmimin „Nermin Vlora Falaschi“. Këto çmime u ndanë më rastin e festës së 8 Marsit, Ditës së gruas në një manifestim kulturore – artistik të organizuar të dielën në Vjenë të Austrisë.

Fondacioni „Nermin Vlora Falaschi“ – dega në Vjenë në kuadër të „ 12 Qershori“, me rastin e festës së 8 Marsit, Ditën e gruas organizoi të dielën një event kulturor. Të pranishëm ishin: Ambasadori i Shqipërisë Rolando Bimo, ai i Kosovës, Sami Ukelli, përfaqësues të pushtetit lokal të Vjenës, si dhe të gra të ftuara austriake dhe shqiptare.

Rolanda Limani, kryetare e fondacionit “Nermine Vlora Falaschi” si dhe e shoqatës kulturore “12 Qershori” në fjalën e saj përshëndetëse foli për rolin e gruas në shoqëri. „Kjo ditë nuk i përket vetëm një vendi të veçantë, një grupi apo një organizate, por i përket gjithë shoqërisë kudo në botë. Historia e betejës së grave për barazinë dhe të drejtat e plota në shoqëri, është historia e të drejtave të njeriut. Kjo është dita për të kujtuar dhe festuar arritjen kulturore, politike, ekonomike dhe shkencore të gruas në gjithë botën. Kjo ditë na kujton njëkohësisht se kemi ende punë për të bërë, sepse ka ende gra që vuajnë nga liria dhe barazia e tyre gjinore.“, theksoi ajo, raporton „albinfo.ch“.

Me fjalë përshëndetëse u paraqiten edhe kryetarë dhe përfaqësues të pushtetit lokal të qarqeve në Vjenë, ndërkohë për rolin e gruas në shoqëri, sidomos gruas shqiptare në shoqërinë austriake, folën edhe dy ambasadorët e shteteve tona.

„Gruaja shqiptare në diasporë, krahas rolit të kujdesit dhe edukimit i duhet që të luaj edhe rolin e integrimit të fëmijëve të tyre në shoqërinë austriake. Më shumë kënaqësi mund të them se komuniteti shqiptar në Austri, është ndër komunitetet më të integruara në shoqërinë austriake, dhe për këtë një mirënjohje të thelle u takon edhe grave dhe nënave shqiptare“, tha ndër të tjera, Ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo.

Ndërkohë, për ambasadorin e Kosovës, Sami Ukelli, dita e 8 marsit, simbolizon luftën e gruas për të drejtat e barabarta në shoqëritë tona kudo që jetojmë. Duke qenë një numër i madh i grave shqiptare të cilat njëherësh janë edhe mësuese të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri, ai uroj të gjitha mësueset shqiptare në Austri. „Meqenëse këto ditë kishim edhe 7 marsin, ditën e mësuesit, shfrytëzoj rastin të uroj të gjitha gratë mësuese për këtë ditë të veçantë, përmes së cilës është ruajtur edhe tradita jonë e kulturës shqiptare në diasporë dhe përmes së cilës do të duhej të përçohej mesazhi që ju si gra t’ju mundësoni edhe fëmijëve tanë që janë në diasporë të vazhdojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Mundësitë janë të favorshme të cilat i ofron shteti austriak, dhe këto mundësi do duhet të shfrytëzohen“, u shpreh ambasadori Ukelli duke uruar të gjitha gratë për ditën e 8 marsit.

Eventi i cili u mbajt me moton „Gruaja si shembull në integrim“ përveç tjerash, ndau edhe dy  mirënjohje për dy zonja të nderuara që kanë dhënë kontributin e tyre humanitar dhe shoqërorë në përparimin e gruas.

Me mirënjohje u nderua, zonja Marianne Graf, humanistja e madhe austriake dhe mike e shqiptarëve e cila me vite të tëra ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuon me projekte të ndryshme, si në: shkolla, spitale, infrastrukturë, me projekte inovative, projekte për gra e shumë projekte të tjera në Kosovë e Shqipëri.

Zonja e dytë e cila u nderua me çmimin “Nermin Vlora Falaschi” është mjekja shqiptare nga Kërçova me banim në Vjenë, dr.Gozime Sula, e cila përmes organizatës „Kërçova“ në Vjenë ka dhënë kontribut të çmueshëm për komunitetin shqiptarë në Austri, e në veçanti për gruan shqiptare.

Të dy zonjat e nderuara, pasi u shprehen të lumtura më çmimet e tyre, folën edhe për përvojat në punën që ato bëjnë tash e shumë vite.

Programi kulturore – artistik u përcjell më pika muzikore nga grupi i grave të Fondacionit të Vjenës, Vlora Januzi, pastaj kori boshnjak e të tjerë.

Me performancë të lartë artistike u prezantuan edhe tenori shqiptarë në Austri, Faik Hondozi së bashku me bashkëshorten, sopranon Anjeza Hondozi.

Pas pjesës solemne, atmosferën e vazhdoi grupi ulqinak „Deti“ të cilët argëtuan të pranishmit më këngë të bukura qytetare.