Integrimi
Mjekët e rinj shqiptarë në Zvicër, do të kenë nga një mentor shqiptar
Kryetari i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, Dr. med. Mentor Bilali, me plane konkrete për të ngritur LMSHZ-në në një nivel të lartë të faktorizimit
Mjekët e rinj shqiptarë që tashmë jetojnë dhe punojnë në Zvicër, e posacërisht specializantët e rinj, do ta kenë nga një mentor shqiptar për t’u integruar sa më shpejt në sistemin shëndetësor të Zvicrës. Kështu LMSHZ-së me kryetarin e ri, Dr. med. Mentor Bilali, planifikojnë t`i mbështesin ata.
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, krahas simpoziumeve që ka organizuar deri më tani me mjekët, në të ardhmen planifikon të organizojë edhe simpoziume të hapura për qytetarët, për t’i vetëdijesuar ata, shkruan albinfo.ch. Kryetari i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, Dr. med. Mentor Bilali, premton dy simpoziume me qytetarët për vitin e ardhshëm, një në Cyrih dhe një në Gjenevë.
Po ashtu ata duan ta mbajnë gjallë “Swiss Medical Scool” në Prishtinë, siç kanë bërë vitet paraprake, me qëllim të dhënies së kontriboutit edhe në Kosovë.
Pjesë e angazhimit të LMSHZ-së premton kryetari Mentor Bilali, do të jetë mentorimi i mjekëve të rinj të ardhur tashmë nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.
“Ky mentorim për mjekët e rinj do të koordinohet me përfaqësuesit e ambasadave këtu ne Zvicër”, premton dr. med. Mentor Bilali dhe ju bën ftesë të gjithë mjekeve e mjekëve shqiptarë në Zvicër që mund të përkrahin këtë iniciativë, t’ju krijojnë kushte e hapësirë përmes mentorimit mjekëve të ardhur nga Kosova për integrim të shpejt e të mirë në sistemin shëndetësor të Zvicrës.
Hapin e parë në këtë drejtim ata e kanë bërë me organizimin e simpoziumit V të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës duke ftuar specializantë të rinj, të gjithë të ardhur para dy e tre vjetëve nga Kosova e Maqedonia në Zvicër si mjeke e mjekë të rinj, të cilët kanë trajtuar temën: “Dhimbja si sfidë shumëdimensionale”, me mbështetje ose mentorim të një mjeku me përvojë në Zvicër. Kjo iniciativë është vlerësuar lart nga mjekët e rinj, të cilët përpos që duhet ta mësojnë gjuhën, u kërkohet edhe të integrohen sa më shpejt që të jetë e mundur në sistemin shëndetësor të Zvicrës.
Me këtë rast albinfo.ch ka marrë prej specializantëve të rinj nga një deklaratë mbi simpoziumin V-të LMSHZ-së dhe rëndësinë e tij në aftësimin e tyre të shpejtë në fushën e shëndetësisë.
Mjeku i ri, Lum Kastrati, i ardhur para pak kohësh nga Gjilani ka referuar mbi temën: “Dhimbja në kontekstin e sëmundjeve me natyrë iskemike” (kur një pjesë e trupi nuk merr mjaftueshëm oksigjen).
“Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër na sjell një copë atdheu këtu e na bën të ndjehemi pjesë e komunitetit. Ne jemi me fat që e kemi një Lidhje kaq të përkushtuar e aktive, e cila po na ndihmon edhe ne, si mjekë që jemi në fillim të karrierës, përmes mentorimit, duke na treguar rrugët më të mira për të arritur apo definuar qëllimet tona si mjekë të rinj në Zvicër. Këto organizime janë shumë të rëndësishme për formimin tonë profesional në karrierë. LMSHZ-së është gjithashtu edhe një pasqyrë e komunitetit tonë shqiptar në Zvicër”.
Specializanti Ardian Ajruli vlerëson lart punën dhe mundësinë që i ka dhënë Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës për të referuar para dhjetëra mjekëve me përvojë, mbi temën “Dhimbja nga perspektiva psikiatrike”.
“Unë si mjek i ri jam që një vit në Zvicër dhe vetë punësimi im këtu është realizuar me ndihmën e mjekëve të këtushëm shqiptarë. Fakultetin e mjekësisë e kam mbaruar në Maqedoni, mirëpo rrugëtimi im profesional lidhet me LMSHZ-në, ku kam hasur një mbështetje të fuqishme dhe kjo ka qenë për mua befasuese, sepse nuk kam pritur që dikush me kaq vullnet mund të të mbështesë. Simpoziumi për mua vetëm sa e ka dëshmuar nga fillimi se LMSHZ i ka dhënë mjekeve dhe mjekëve të rinj shqiptarë hapësirë për t’u njohur, angazhuar dhe rrjetëzuar me kolegë të tjerë, por edhe për t’u integruar sa më mirë në sistemin mjekësor zviceran”.
Atdhe Haxhibeqiri, specializant po ashtu i ardhur para dy vjetësh si mjek i ri në Zvicër, flet për përvojën dhe bashkëpunimin e mirë me LMSHZ-në. Sidomos motivues ka qenë për të lajmi se ai dhe të tjerë mjekë të rinj që kanë diplomuar në Kosovë janë përzgjedhur nga kryesia e LMSHZ-së si referentë të simpoziumit V me temën “Dhimbja si sfidë shumëdimensionale”.
“Tema nuk ka qenë shumë problem për drejtimin ku jam unë, mirëpo kjo m’u ka përshtatur mirë mua se bëj këtë punë dhe kam një eksperiencë të mirë”, thotë Atdheu, i cili studimet e mjekësisë i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.
Mjekja specializante, Flutura Ajvazaj, ka mbaruar studimet e mjekësisë në Kosovë dhe ka tre vjet që ka lënë vendlindjen, Gjilanin, për një punë e karrierë më të mirë, në Zvicër. Ajo ka trajtuar në këtë simpozium temën “Dhimbja neuropatike”.
“Unë jam mjeke e re në Zvicër. Kur kam ardhur këtu kam menduar që integrimi im në shoqëri do të jetë i vështirë, mirëpo duke njohur Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës më herët e duke pasur kontakte me ta, kam arritur shpejt të integrohem e t’ jem e gatshme si referente në simopoziumin V të LMSHZ-së. Ky simpoziumi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe evente si ky e bëjnë LMSHZ të dobishme dhe të pazëvendësueshme për ne si mjekë të rinj që mund të mësojmë nga përvoja e mjekëve të vjetër”.
Pyetjes sonë si vlerëson pjesëmarrjen si referente në simpoziumin V LMSHZ-së dhe si është pritur paraqitja e saj me temë “Terapia e dhimbjes në Mjekësinë Paliative” nga mjekët me përvojë, specializantja e re e ardhur nga Gjilani para dy vjetësh, Elda Rama, i përgjigjet se ndjehet e vlerësuar dhe e kënaqur me mundësinë që i është dhënë. Ajo falënderon doktor Alban Nezirin, si njërin nga tre profesorët në Zvicër që i ka dhënë asaj përkrahje të pakursyer. “Ka qenë një rast i mirë për një temë, për të cilën unë s’kam pasur shumë përvojë, mirëpo mbështetja e kolegëve me përvojë na kanë ndihmuar që ta zgjerojmë horizontin e dijes në temën mbi dhimbjen si sfidë shumëdimensionale». Dallimin e punës në mjekësi në mes të Zvicrës dhe Kosovës specializantja e re e sheh në intensitetin e punës. “Në Zvicër intensiteti dhe mënyra si shpjegohet është me lehtë për ti marrë këto njohuri e eksperienca pune”.
Anëtarja e kryesisë së LMSHZ-së, Dr. med. Bujana Batusha Sopi, shprehet e kënaqur me paraqitjet e specializantëve të rinj, duke vlerësuar lart angazhimin e tyre.
“Çdo organizim kërkon kohë e përkushtim, por përkushtimi i lartë i mjekëve të rinj për ta organizuar mirë këtë simpozium, ka lehtësuar punën tonë. Sfida më e madhe për ne në Zvicër është koha, aty çalojmë ne të gjithë, mirëpo qëllimi i mirë e fisnik tejkalon edhe këto pengesa se ne duam të rritemi e të faktorizohemi së bashku me të tjerët sipas thënies sonë të bukur: `Bashkimi bën fuqinë`”.
Valbone Miftari, nënkryetare e LMSHZ-së
Edhe nenkryetarja e LMSHZ-së Dr. Valbone Miftari, shprehu mirënjohje dhe vlerësime të larta për mjekët e rinj specializantë të cilët ligjëruan në simpoziumin e pestë.
“Kjo ngjarje profesionale është dëshmi e përkushtimit të përbashkët dhe e mbështetjes së ndërsjellë, duke forcuar kështu themelet e një komuniteti që është duke u rritur mbi bazat e profesionalizmit dhe kolegialitetit të shëndoshë”, tha ajo.
“Ne si kryesi shumica prej nesh të zgjedhur tri mandate me radhë, kemi qenë dhe jemi të përkushtuar t’u ofrojmë gjithnjë mbështetje gjeneratave të reja, duke i parë ata si partnerë të barabartë në misionin tonë të përbashkët. Bashkëpunimi me të rinjtë sjell gjithmonë një frymë dhe dinamikë të re dhe ne jemi të vendosur që të vazhdojmë t’i inkurajojmë dhe t’i përfshijmë ata në çdo hap të punës sonë”.
Nënkryetarja përmbylli fjalën e saj duke thënë që secila mjeke dhe secili mjek që jeton dhe vepron në Zvicër është i mirëpritur që të bëhet anëtar i “shtëpisë” së përbashkët – LMSHZ-së.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë Drejtuesja politike e PD të Shqipërisë për Diasporën, Jozefina Topalli po qëndron në New York të...
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
-
Në kërkim për trafik droge, arrestohet në Spanjë 32-vjeçari shqiptar
-
Itali: Shpërthen fabrika e fishekzjarreve, humbin jeten 2 motra dhe një 18-vjeçar shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre