Uncategorized

Mjekë nga Suedia trajtojnë pacientët në QKUK

Deri tani janë kryer mbi 20 trajtime, përfshirë edhe ndërhyrjet kirurgjike, përderisa trajtimet do të vazhdojnë deri ditën e premte

Një ekip mjekësor suedez po qëndron në QKUK, ku në bashkëpunim me mjekët kirurgë të fëmijëve dhe kirurgë plastikë nga Kosova po kontrollojnë dhe trajtojnë pacientë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe në Kirurgjinë Plastike.  Kjo po bëhet në kuadër të bashkëpunimit të nisur në vitin 2004 ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Qendrës Klinike Universitare të Linkoping të Suedisë.

Ekipin mjekësor nga Kirurgjia e Fëmijëve po e udhëheq Peder Drott, i cili ka edhe ekipin mbështetës mjekësor.  Deri tani janë kryer mbi 20 trajtime, përfshirë edhe ndërhyrjet kirurgjike, përderisa trajtimet do të vazhdojnë deri ditën e premte.

Në Kirurgjinë plastike, të udhëhequr nga Erkki Torpila, mjekë të tjerë dhe ekipi vendor i kirurgëve plastikë, ditën e djeshme janë kryer 5 operacione mikrokirurgjike, e 5 të tjera janë kryer sot gjatë ditës. Ekipet e mjekëve nga Suedia do të qëndrojnë në Kosovë deri ditën e premte.