Lajme

Krijohet baza shtetërore e të dhënave për studentët shqiptarë jashtë vendit

Me propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr. 504, datë. 24.6.2020 për “Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa nga Shqipëria”.

Ky vendim parashikon krijimin e një baze të të dhënave shtetërore për të gjithë studentët shqiptarë jashtë vendit si dhe të shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë.

Kjo bazë do të përmbajë të dhënat personale për: shtetasit shqiptarë të cilët kryejnë studimet universitare jashtë vendit; shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, të cilët janë përfitues të programeve të financuara nga ministria përgjegjëse për arsimin; shtetasit shqiptarë, të cilët kanë përfituar bursat e studimit, të cilat i ofrohen Shqipërisë nga shtete, organizata ndërkombëtare dhe jofitimprurëse në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara apo dokumente të tjera, ku Qeveria e Republikës së Shqipërisë është palë.

Baza e të dhënave shtetërore e studentëve shqiptarë ka si institucion administrues Agjencinë Kombëtare të Diasporës, ndërsa dhënëse e informacioneve për të do të jenë Ministria e Arsimit dhe Ministria për Punë të Jashtme. /Albinfo.ch