Integrimi
Miradije Maliqi, jeta dhe vdekja me dinjitet, e një krijueseje
Në komemoracionin e organizuar nga familja e saj, janë shpalosur shumë kujtime për krijuesen e ndjerë dhe është vlerësuar lart personaliteti i saj krijues
Përkujtimi i ikjes së parakohshme nga jeta, të shkrimtares, skenaristes dhe veprimtares në fushë të kulturës, Miradije Maliqi ka bërë bashkë ditë më parë, në Opfikon të Cyrihut, një numër miqsh të saj dhe krijuesish shqiptarë nga Zvicra e Gjermania.
Në komemoracionin e organizuar nga familja e saj, janë shpalosur shumë kujtime për krijuesen e ndjerë dhe është vlerësuar lart personaliteti i saj i shumanshëm krijues.
Në emrin e Konsullatës së Kosovës në Cyrih, zyrtarja e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Shukrije Ramadani, në fjalën e saj emocionuese ka kujtuar njohjen e saj rreth 35 vjeçare me Miradijen, shkruan albinfo.ch. “Miradije Maliqi si krijuese dhe veprimtare ka kaluar shumë barriera në jetën e saj. Dhe, ikja e Miradijes ka qenë po aq e fisme sa ishte dhe jeta e saj”, ka thënë zonja Ramadani. Kështu ajo po kujtonte ditët e fundit të jetës së të ndjerës, kur ajo i kishte thënë se po ikte, të bashkohej me Mondën (vajzën e saj të vdekur dhjetë vite më parë).
Më tutje, folësja ka kujtuar aktivitetet në të cilat ishte përfshirë Miradija, që në kohën kur grumbulloheshin ndihma, në Zvicër, për themelimin e Universitetit të Tetovës, pastaj angazhimin e saj në ngritjen e Qendrës Kulturore Shqiptare në Cyrih, etj. Ajo ishte me gjithë qenien e saj kudo ku punohej për shqiptarët dhe për kulturën tonë, ka thënë veç tjerash znj. Ramadani, duke e cilësuar të ndjerën si një “engjëll mbrojtës” për ne që e kemi njohur dhe vlerësuar.
Shembulli i jetës dhe punës së Miradijes duhet të na bashkojë për të kryer punë në të mirë të kombit dhe të kulturës sonë, ashtu siç punonte Miradija, ka përfunduar znj. Ramadani.
Moderatori i këtij komemoracioni, aktori Ramadan Morina po ashtu ka evokuar kujtime nga njohja e tij me Miradije Maliqin, duke e cilësuar si fat të tij njohjen me një zonjë të tillë, me kaq merita.
Krijuesja Shqipe Bytyçi, njëherësh mike e ngushtë e të ndjerës, në fjalën e saj veç tjerash ka thënë se “mallin dhe dhembjen për familjen dhe vendlindjen na e zbuste Dija, duke na dhënë forcë e kurajë që çlirimi i shumëpritur i tokave tona të pushtuara nga serbët e maqedonasit do të vijë patjetër”.
Për Shqipen, Miradija ishte model i një gruaje të fortë, me shpirt të madh. Përkundër goditjes së rëndë të fatit, që kishte pësuar, ajo gjente forcë për tu angazhuar në shumë drejtime por në veçanti në drejtim të ngritjes dhe integrimit të gruas shqiptare në Zvicër.
Bujar Salihu, poet dhe nënkryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës ka lexuar një vështrim të shkurtër mbi krijimtarinë letrare të Miradije Maliqit, shkruan albinfo.ch. Më tutje ai ka thënë se “zonja, Maliqi lexuesit shqiptar dhe atij të huaj me punimet e saj letrare dhe artistike të një niveli të lartë përgjatë tri dekadave i ka ofruar freski dhe vlera. Vdekja e saj e papritur komunitetin tonë krijues në Zvicër e më gjerë, e ka hendikepuar shumë”.
Disa fjalë për Miradije Maliqin i ka folur edhe krijuesja Hyrije Isufi. Ajo ka veçuar personalitetin e spikatur të Miradijes, si njeri dhe si krijuese. Gjithashtu ka evokuar kujtime nga shoqëria që kishte me të ndjerën gjatë gjithë këtyre viteve. Znj. Isufi, përmes emocioneve, ka lexuar poezinë e titulluar “Pasqyrë” kushtuar Miradije Maliqit. Në fund ajo ka thënë: “vdekja tinëzare dhe e papritur na i prishi planet, ngaqë me Dijen, pushimet e verës së sivjetme, patëm planifikuar që t’i kalojmë në Shqipëri e Gostivar”.
Miradije Maliqi, e lindur në vitin 1961 në Gostivar, dhe prej rreth 35 vitesh me qëndrim në Zvicër, ka mbaruar studimet në Shkollën e Lartë, seksioni Sociologji-Psikologji në Cyrih të Zvicrës. Pas studimeve ajo është specializuar në lëmin e terapisë preventive, për adoleshentë dhe të rritur.
Krahas punës në profesion, ajo merret intensivisht me letërsi. Kështu, në vitin 1995, ajo paraqitet me romanin e saj të parë “Kthimi i mërgimtares së tradhtuar “botuar nga shtëpia botuese “Mirazh” e Tiranës. Në vitet në vijim ajo ka botuar edhe trembëdhjetë libra të tjerë, në prozë dhe poezi
pas daljes së tij nga shtypi do t’i botojë edhe 13-të, romane të tjera në prozë dhe poezi.
Ndërsa një aspekt shumë i veçantë të krijimtarisë së saj, ka qenë shkrimi i skenarëve për filma dokumentarë, shkruan albinfo.ch. Në kuadër të këtij pasioni të saj më të ri hyn edhe skenari për dokumentarin kushtuar rilindasit Josif Bageri, nga Reka e Gostivarit/Dibrës, sekuenca të të cilit u shfaqën para publikut në komemoracion.
Ky dhe dokumentarë të tjerë bëjnë pjesë në angazhimin që zonja Maliqi së bashku me të shoqin, Rexhepin, i është kushtuar viteve të fundit drejt sensibilizimit të shoqërisë shqiptare me çështjen e shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë. Me shoqatën dhe dokumentarët e tyre ata janë përpjekur të hedhin dritë mbi fatin tragjik të kësaj dege, pothuajse të asimiluar të trungut shqiptar.
Komemoracionin, me një fjalë falënderimi e ka përmbyllur i biri i poetes së ndjerë, Fisnik Maliqi. Ai ka thënë se, krahas dhimbjes për humbjen e njeriut më të dashur, ndjen dhe krenari për punën që ka kryer nëna e tij, Miradija, në të mirë të kulturës dhe kombit. “Me veprën e saj do të krenohemi përherë”.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve