Kosova

Minxhozi: Këtë vit ka 20% më shumë fluks të turistëve se vitin e kaluar

Ministri kosovar i punëve të brendshme, Gashi: Po punojmë që të mos ketë pritje në pikat e kalimit me Shqipërinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë,  Qemal Minxhozi, kanë vizituar  pikën e kalimit të kufirit në Morinë dhe të Shishtavecit, ku u priten nga Drejtori i drejtorisë rajonale të Kufirit të Gjakovës Faton Alia, transmeton albinfo.ch.

Gashi tha se qëllimi vizitës në këto pika të kalimit të kufirit është që të lehtësojnë qarkullimin e shpejtë të qytetarëve që kanë objektiva për të shijuar bregdetin shqiptar, apo edhe vizita të karaktereve tjera.

“Jemi në proces të nënshkrimit të protokollit të përbashkët me Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë, për patrullime të përbashkëta. Ne duhet të jemi maksimalisht në shërbim të qytetarëve për të ndihmuar lëvizjen e lirë”, theksoi ministri Gashi. Ai tha se do të shikohen të gjitha mundësitë, në rast nevoje për shtim të kapacitete për pikat e kontrollit të kufijve, me qëllim të eliminimit të radhëve të pritjeve së qytetarëve në kufi.

Ndërsa ambasadori Minxhozi, theksoi se këtë vit ka turizëm më të hershëm, që ka filluar një muaj më herët se zakonisht dhe ka një fluks më të madh për 20%, më shumë se viti i kaluar. Ai tha se ka një shtim të qytetarëve të Shqipërisë që vizitojnë Kosovës dhe për këtë duhet të ketë një liberalizimin të kontrolleve kufitare, sidomos të transportuesve publik.