Kosova

Ministrja gjermane: Serbia shpërblen me viza, vendet që nuk njohin Kosovën

Faeser e ka bërë të qartë se çfarë mendon për politikën e vizave të Serbisë: "Kjo politikë bazohet në atë se cilat shtete nuk e njohin Kosovën"

“Serbia tani duhet të ndryshojë praktikën e vizave, jo dikur, në ndonjë moment, por tani”, ka kërkuar Ministrja e Brendshme Federale e Gjermanisë Nancy Faeser (SPD), transmeton albinfo.ch. Ajo, këtë deklaratë e ka bërë në margjinat e një takimi të BE-së, sot, në Luksemburg.

Faeser, më tutje e ka bërë të qartë se çfarë mendon për politikën e vizave të Serbisë: “Kjo politikë nuk është “shumë e bukur” sepse bazohet në atë se cilat shtete nuk e njohin Kosovën, shkruan dpa.de. “As kjo nuk më duket e pranueshme”.

Në fakt, politika serbe e vizave është e lidhur ngushtë me pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës. Beogradi në këtë mënyrë po i shpërblen vendet që nuk e njohin ose e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, duke i liruar ato kështu nga detyrimi i vizës për të hyrë në Serbi.

Që nga viti 2017, udhëtarët nga India nuk kanë nevojë për vizë për në Serbi. Burundi ka tërhequr njohjen e Kosovës në vitin 2018, pas së cilës Serbia i ka hequr vizat për qytetarët e këtij vendi.

Studiuesit e migracionit theksojnë se, me gjithë ashpërsimin, situata në rrugën ballkanike është shumë larg nga ajo e vitit 2015.
Për shembull, autoritetet kanë regjistruar pothuajse 4,500 kalime të parregullta kufitare nga njerëz nga India në tetë muajt e parë të vitit, përcjell albinfo.ch. Në vitin 2021 në tërësi ishin gjithsej rreth 550.

Numri i kalimeve kufitare nga njerëz nga Tunizia, Kuba apo Burundi gjithashtu u rrit ndjeshëm. Njerëzit nga të gjitha këto vende nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Serbi. Nga Serbia ata pastaj marrin rrugën për në BE – shpesh deri në Gjermani ose Austri.