Kosova

Ministria e Jashtme e Gjermanisë: Serbët t`i heqin sa më shpejt barrikadat në veri

Ministria e Jashtme gjermane kërkon që barrikadat në veri të Kosovës të çmontohen sa më shpejt dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e tyre

Pas javësh përshkallëzimi, Ministria e Jashtme gjermane, në një deklaratë ekskluzive për gazetën vjeneze STANDARD, kërkon që “barrikadat e paligjshme të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të çmontohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, transmeton albinfo.ch.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale ka shtuar rreth kësaj: “Ne jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës”.

Javët e fundit, serbët militantë nacionalistë kanë ngritur barrikada në rrugë në veri të Kosovës. Ndër të tjera, ata po protestojnë kundër arrestimit të një punonjësi policie që dyshohet se ka sulmuar një qendër votimi, përcjell albinfo.ch. Të enjten pati edhe një demonstratë në veri të Kosovës, gjatë së cilës u shfaq një flamur i madh serb.

Ata serbë militantë nacionalistë që ngritën barrikadat dhe organizuan demonstratën u përkasin mbështetësve të partisë Lista Srpska, e cila është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë në Serbi. Ajo vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës dhe monopolin e shtetit të Kosovës për përdorimin e forcës në veri të vendit.