Zhvillim

Ministria e jashtme dhe OEK, memorandum për “diplomacinë ekonomike”

Hoxhaj: Do të dërgohen atashe ekonomikë në Uashington, Berlin, Romë, Londër dhe Paris. Në Bruksel tashmë është dërguar dhe testi ka dalë i suksesshëm

Diplomacia ekonomike është një nevojë e kohës për nxitjen e investimeve nga jashtë. Këtë nevojë e kanë identifikuar Ministria e Jashtme dhe Oda Ekonomike e Kosovës, krerët e të cilave kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi.

Siç thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministri Enver Hoxhaj dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, pas një takimi që kanë zhvilluar të shtunën, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet MPJ-së dhe OEK-ut, i cili ka për qëllim bashkëpunimin në fushën e diplomacisë ekonomike.

Ministri Hoxhaj, pas takimit e ka vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer që MPJ dhe OEK kanë pasur gjatë këtyre viteve.

Por, siç u shpreh Hoxhaj, nga sot hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit, duke u mbështetur në pesë shtylla. “Promovimi i produkteve jashtë vendit, sjellja e investitorëve të huaj në Kosovë pasi tregtia e jashtme është pjesë e politikës së jashtme, organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike dhe investive në Kosovë dhe jashtë, prezantimi i një imazhi të duhur jashtë Kosovës. Të gjitha këto do të mund t’i realizojmë përmes emërimit të atasheve ekonomikë”, theksoi Hoxhaj, duke shtuar se me kryetarin e OEK-ut, Gerxhaliu, do të niset një bashkëbisedim i drejtpërdrejt me biznesin kosovar nëpër qytetet e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu theksoi se është studiuar mirë edhe çështja e dërgimit të atasheve ekonomikë. “Do të dërgojmë në një të ardhme të afërt atashe ekonomikë në Uashington, Berlin, Romë, Londër dhe Paris. Në Bruksel tashmë e kemi dërguar si një lloj testi që ka dalë i suksesshëm”, tha ministri Hoxhaj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se prania e ministrit Hoxhaj dëshmon për seriozitetin e bashkëpunimit ndërmjet OEK-ut dhe MPJ-së, në avancimin e diplomacisë ekonomike.

Gërxhaliu po ashtu theksoi se OEK-u është i interesuar t’i shtyjë përpara katër prioritetet të quajtura 4 E, e që janë Evropa, ekonomia, edukimi dhe mjedisi, thuhet në fund të komunikatës.