Lajme

Deri tani janë riatdhesuar 3000 qytetarë në Kosovë

Është bërë e ditur nga Ministria e Punëvë të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nëpërmjet Qendrës së saj Operative dhe misioneve diplomatike, se deri më tani ka mundësuar riatdhesimin e rreth 3000 qytetarëve të Republikës së Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Sipas një njoftimi nga kjo ministri, thuhet se pas lehtësimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë, MPJD vetëm brenda javës që po vjen do t’i riatdhesojë mbi 700 qytetarë të tjerë. Personat e riatdhesuar nuk do të futen më në karantinë, por pas kontrolleve mjekësore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, do të shkojnë në vetizolim në shtëpitë e tyre.

Në fund të javës së ardhshme, do të mbesin vetëm edhe rreth 400 kërkesa të tjera emergjente aktive, të cilat me ritmin aktual do të mund të realizohen të gjitha deri në mes të muajit qershor.

Si rezultat i angazhimit maksimal të Qendrës Operative të MPJD-së, misioneve tona diplomatike dhe institucioneve të tjera përkatëse të Qeverisë, ky proces i vështirë për të gjithë do të përmbyllet së shpejti. /Albinfo.ch