Shqipëria

Ministri Xhafaj kërkon bashkëpunim për ta luftuar krimin

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj ka prezantuar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për Vettingu-n në polici, për të cilin ka kërkuar bashkëpunim me të gjitha partitë politike.

Ministri theksoi se asnjë politikan i lidhur me grupe kriminale nuk duhet të mbrohet nga imuniteti, përcjell albinfo.ch.

“Jemi qartësisht të fokusuar në goditjen dhe hetimin e grupeve kriminale dhe aseteve të krijuara prej tyre. Policia e Shtetit në luftën e saj kundër krimit, veçanërisht kundër atij të organizuar nuk është spontane dhe e momentit”, ka thënë ai.

Ministri theksoi se ka ende shumë për të bërë, por tha se tashmë veprimet e policisë janë shumë më të organizuara dhe më profesionale.

“Ne kemi gjithë vullnetin e duhur për të goditur krimin në çdo formë të shfaqjes së tij. Në funksion të saj, janë vendosur burimet më të mira njerëzore të hetimit në Policinë e Shtetit dhe Prokurori”, ka thënë Xhafaj.