Lajme

Ministri Rexhepi tërhiqet nga urdhri për targat

Vetëm dy ditë pasi ka dhënë urdhër për konfiskimin e targave të reja të lëshuara nga Serbi,  ministri në largim i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi është tërhequr nga ky urdhër.

Të martën, ai kishte urdhëruar Policinë e Kosovës që t’i konfiskonte këto targa në tërë territorin e Kosovës, mirëpo vetëm pas dy dite ai e kishte “kuptuar” se në veri nuk është edhe aq e lehtë të zbatohet ky urdhër, shkruan sot Zëri.

Po, Rexhepi Ministri ka thënë se as që ka pretenduar se urdhri i tij për konfiskimin e këtyre tabelave serbe do të gjejë zbatim efikas në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila është e banuar me shumicë serbe. “Në pjesën veriore as që kam pretenduar se Policia e Kosovës do të jetë shumë efikase në konfiskimin e targave, por sigurisht në ato raste ku ka mundësi gjithsesi se do të veprohet”, ka thënë ai.

Në urdhrin e ministrit Rexhepi të lëshuar të martën thuhej se “urdhërohet Policia e Kosovës që në gjithë territorin e vendit të ndalojë qarkullimin e të gjitha veturave që bartin tabela të reja të Serbisë”.

Ditë më parë ministri I Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daciq ka thënë se për çështjen e targave të Beogradit të lëshuara për tërë territorin e Kosovës do të bisedojnë me zyrtarët e misionit evropian të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX.

Ndryshe, gjatë dy ditëve të kaluara është raportuar se janë gjobitur dy banorë serbë të Kosovës që në automjetet e tyre bartnin targat e reja të lëshuara nga Beogradi për territorin e Kosovës.

Zyrtarë të subjekteve politike opozitare kanë vlerësuar se urdhri i ministrit Rexhepi për konfiskimin e targave të reja të lëshuara nga Serbia nuk është gjë tjetër vetëm një blof dhe vendim bosh i tij.