Kosova

Ministri Rashiq për muzeun e gjenocidit: Krimet s’duhet të gjeneralizohen

Qeveria e Kosovës i hapi rrugë themelimit të muzeut për dokumentimin e krimeve të luftës, por kjo nuk u përkrah nga ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.

Ai abstenoi të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë për Muzeun e Gjenocidit dhe Përpjekje për Liri dhe tha se krimet nuk duhet të gjeneralizohen.

“Sepse konsideroj se çdo krim ka emër dhe mbiemër dhe nuk duhet të gjeneralizohen krimet sikur në këtë pikë. Do të thotë, emri i muzeut nuk është adekuat, ‘Gjenocidi i Serbisë dhe i Jugosllavisë’ ”, ka deklaruar Rashiq pasi u pyet nga KOHA.

Ai ka shtuar se është kundër që shteti i tërë serb të konsiderohet gjenocidal, ndërsa i tha disa propozime si do të duhej të quhej.

“Për shembull ‘Gjenocid lufte’, ‘gjenocid nga kriminelët e luftës’, ‘gjenocide të grupeve paramilitare’, ‘krime lufte’ ose ndonjë shprehje tjetër që unë ndoshta nuk mund ta gjej për shkak të gjuhës, por jo të përdoret shteti i tërë sikur të jetë gjenocidal”, ka shtuar Rashiq./KOHA