Kosova

Ministri i Diasporës thotë se Kosova i largoi investitorët me kërkesa burokratike

Ministri kosovar i Diasporës, Dardan Gashi, ka thënë se Kosova është shumë prapa që t’i bindë investitorët seriozë që të vijnë të investojnë këtu.

Ai ka thënë se Kosova ende nuk ka bërë asgjë për t’i lehtësuar procedurat.

Ministri pohon se investitorët e huaj janë larguar për shkak të kërkesave burokratike që ka pasur vendi ndaj tyre.

Për dallim nga Kosova, sipas tij, shtetet fqinjem, si Serbia, kanë ofruar edhe para për vende pune.

Gashi për Ekonomia Online ka thënë se prodhuesit të veturave gjerman “Volkswagenit” i është ofertuar të prodhojë në Kosovë në një tokë pa pagesë, të negociohen taksat dhe të konkurrohet me vendet fqinje, përcjell albinfo.ch.

Oferta për këtë kompani gjermane del të jetë e para e llojit të tillë që ka bërë Qeveria e Kosovës me Ligjin për Investime Strategjike, por ende nuk dihet nëse ajo do të ndodhë.

“Jemi shumë prapa me këto ide që ne i kemi menduar me 10 për qind taksë i kemi kryer të gjitha, mirëpo shtetet fqinje i kanë ofruar jo vetëm ulje taksës, por i kanë ofruar edhe shuma të caktuara për vende të punës, p.sh Serbia ka ofruar deri në 5 mijë euro për punëtor për vend pune si shtet, investitorëve të cilët ne i kemi largu me probleme burokratike”, u shpreh Gashi.

Gashi thotë se investitorët nuk janë larguar qëllimshëm nga Kosova, por ofertat e shteteve të rajonit kanë qenë më të mira.