Kosova

Ministri i Brendshëm i Kosovës sqaron se çfarë ndodhi në veri

Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës, por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur, por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur qytetari M.J.”, thekson ai.

Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policorë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mosraportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK, njofton Sveçla, transmeton albinfo.ch.

Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, sipas ministrit Sveçla, hetimet do të vazhdojnë intensivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje, do të ballafaqohet me ligjin.