Sport

Minigolfistët nga Kosova priten nga shqiptarët në Austri

Kryetari i Federatës së Minigolfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu është pritur nga Lulzim Vehapi

Kryetari i Federatës së Minigolfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu ka qëndruar për një vizitë në Austri. Kështu thuhet në një njoftim për media, përcjell albinfo.ch.

“Me ftesë të shqiptarit Lulzim Vehapi, i cili punon dhe luan në Klubin e Golfit Donau në periferi të Linz – Austri jam duke qëndruar dhe ushtruar golf tre ditët e fundit. Përveç Lulzimit këtu punon dhe ushtron edhe shqiptari tjetër nga Tetova, Idriz Iseni, i cili po i prin lojës për shkak të përvojës më të madhe”.

“Si kryetar i Federatës së Minigolfit të Kosovës jam pritur shumë mirë në këtë fushë të golfit edhe nga menaxheri ndërkombëtar i njohur në Ballkan, Gerry Jekl i cili na komplimentoi për organizimin e Kampionatit të Minigolfit ‘World Adventure Golf Masters 2016’ vitin e kaluar në Kosovë”, ka thënë Zylfiu.

“Ky udhëtim i imi do të pasohet nga një udhëtim tjetër gjatë këtij viti ku së bashku me Blerim Sejdiun do të udhëtojmë për ta vizituar klubin e golfit Heitlinger në Gjermani me ftesë të, Arif Arifi, menaxher i klubit, me ç’rast do të jetë organizimi kryesor mes shqiptarëve nga komuniteti i sportit të golfit sepse deri në vitin e ri pritet të ndodhë kompletimi i klubeve dhe themelimi i Federatës së Golfit të Kosovës”.

Zylfiu thotë se arsyeja kryesore e themelimit të Federatës është se komuniteti shqiptar posedon lojtarë profesionist të golfit siç janë: Adnan Hajdini dhe Mërgim Gjinovci nga Gjermania me hendikep zero si PGA Germany, pastaj trajneri ynë në Holandë, Isi Zejnullahu si PGA Europe, licenca e fundit botërore, motrat Arifi dhe vëllai i tyre junior Albin Arifi gjithashtu nga Gjermania, por edhe lojtarë tjerë të cilët nga viti i ardhshëm do ta veshin fanellën e Kosovës në lojën e golfit duke shkruar historinë tone më të re sportive.