Lajme

Mimoza, gruaja e parë që shkroi historinë

Ish-zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila pas tetë vjetësh, ndryshon qeverisjen në Gjakovë, bëhet gruaja e parë kosovare që drejton një komunë

Përveç Shpend Ahmetit, përfaqësuesit të Vetëvendosjes, i cili befasoi në zgjedhjet e balotazhit duke mundur liderin opozitar Isa Mustafa për kreun e Prishtinës, e veçanta tjetër e zgjedhjeve të 1 dhjetorit është Mimoza Kusari-Lila e cila shënoi historinë, duke u bërë femra e parë kosovare që drejton një komunë.

Kusari-Lila, nënkryetare e AKR-së, parti që drejtohet nga biznesmeni Behgjet Pacolli, në një garë shumë të fortë e mundi Pal Lekajn, ish-kryetarin e Gjakovës që përfaqëson  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partinë që drejtohet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Ish-zëvendëskryeministrja Kusari-Lila pas tetë vjetësh, ndryshon qeverisjen në këtë komunë të Dukagjinit, ndërsa bëhet gruaja e parë kosovare që drejton një komunë-Gjakovën. Mimoza arriti t’i sigurojë 53 për qind të votave, kundrejt Lekajt i cili fitoi 47 për qind të votave.

“Të faleminderit Gjakovë! Të faleminderit vendlindja ime që më nderove dhe më besove të kthej shpresën, dinjitetin dhe zhvillimin. Mbetem e përkushtuar të punoj deri në forcën e fundit për Komunën tonë, për të gjithë banorët e komunës pa dallim. Na presin katër vite jo të lehta, por shumë të rëndësishme për të ardhmen e Komunës”, ka thënë Kusuari-Lila në facebook.

Komuna e Gjakovës, sipas saj, bëri histori duke e zgjedhur një femrën kryetare të komunës. “Tani më përket mua të bëj historinë e zhvillimit me Komunën e Gjakovës! Na priftë e mbara Gjakovë! Me fat dhe e gëzofshim bashkë!” shkruan kryetarja e re Mimoza Kusari Lila.

Ndryshe Gjakova është qyteti ku më theksohen tejmase ndasitë ndërmjet fshatit dhe qytetit. Madje vetë qytetarët e Gjakovës vetën e konsiderojnë si qytetarë të hershëm, ndërsa banorët e fshatrave rurale, i konsiderojnë si të prapambetur.

Mimoza është vetë qytetare ndërsa është munduar që t’i eliminojë këto ndasi. Ajo në fushatë ka pasur këtë hendikep, sepse kundërkandidati, Lekaj vjen nga zonat rurale që janë shumicë në Gjakovë.

“Kemi pasur një rritje në zonat rurale, gjë që e konfirmon domosdoshmërinë për ndryshime në tërë territorin e komunës së Gjakovës. Ajo që deri më tani e ka proklamuar ish-kryetari (Lekaj), për ndarje regjionale në komunën e Gjakovës u demantua sonte”, deklaroi Mimoza para qytetarëve që festuan mbrëmë në Gjakovë.

Fitoren e Mimozës e përshëndeti edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Treacy Jacobosn, me arsyetimin se u bë gruaja e pare kosovare, në histori, që bëhet kryetare e komunës.

“Urim special për kryetaren e parë femër në Kosovë, Mimoza Kusari. E di që ajo është shumë bashkëpunëtore e mirë, lider llogaridhënëse. Urime më të mira për kryetarët e zgjedhur, me shpresën që ata të jenë llogaridhënës para zgjedhësve. Komunat nuk i takojnë partive, por qytetarëve”, deklaroi ambasadorja Jacobson.

Ajo po ashtu përshëndeti edhe Shpend Ahmetin, për të cilët tha se së bashku me Mimozën janë shkulluar në SHBA.

“Dy nga kryetarët e ri të komunave në Kosovë, Mimoza Kusari dhe Shpend Ahmeti janë të diplomuar tek Ron Brown në SHBA në programin master”, ka shkruar ambasadorja në Twitter.