CH-Ballkani

Mijëra protestues në Prishtinë për Ramush Haradinaj

“Mbështetjen tuaj të madhe e të pakursyer, gjithandej nëpër Botë, e kuptoj si mbështetje për lirinë dhe ekzistencën e Kosovës dhe të secilit prej nesh! Fatin tonë e kemi lidhur me lirinë e përbashkët, dhe unë duke qenë njëri prej Jush, nuk shkel mbi lirinë e popullit tim”, i ka falënderuar Haradinaj

Në Prishtinë sërish është mbajtur protestë për lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, shkruan albinfo.ch.

Në këtë protestë ishin mijëra qytetarë që kanë kërkuar lirimin e pakusht të tij, derisa në protestës i ishin përngjitur edhe shoqatat e dala nga lufta, si dhe shumë zyrtarë të AAK-së dhe Nismës.

Ata kanë kërkuar që ai të lirohet menjëherë dhe nuk ka arsye që është arrestuar.

AAK-ja protestën e sotme e ka quajtur madhështore. “E vlerësojmë madhështore këtë protestë, për faktin se në mbështetje të liderit Ramush Haradinaj, janë vënë qytetarë të të gjitha moshave e përcaktimeve politike e kulturore”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar në Francë, me një urdhërarrest që Serbia e ka lëshuar përmes INTERPOL-it që nga viti 2004. Pas 8 ditësh mbajtje ai është lënë i lirë me kusht, duke u obliguar që të qëndrojë në Francë dhe të paraqitet dy herë në javë në polici. Kësisoj, deri në një vendim të ri të Gjykatës në Colmar. Protesta për lirimin e Haradinajt janë organizuar në disa qendra botërore.

Protestuesit i ka falënderuar edhe vetë Ramush Haradinaj me anë të një postimi në “Facebook”. “Mbështetjen tuaj të madhe e të pakursyer, gjithandej nëpër Botë, e kuptoj si mbështetje për lirinë dhe ekzistencën e Kosovës dhe të secilit prej nesh! Fatin tonë e kemi lidhur me lirinë e përbashkët, dhe unë duke qenë njëri prej Jush, nuk shkel mbi lirinë e popullit tim”, ka shkruar Haradinaj.