Bota

Nxënësit protestojnë kundër ndryshimeve klimatike

Mijëra nxënës britanikë bojkotuan dje orët e mësimit dhe protestuan në disa qytete të Britanisë së Madhe për të kërkuar vendime politike kundër ndryshimeve klimatike.

Në ”Parliament Square” në Londër, sheshi që ndodhet përpara Parlamentit, qindra adoleshentë u mblodhën duke hedhur slogane si ”Shpëtoni planetin tonë” me flakadanë në duar. Ata u kacavirën mbi statuja për të ngritur alarmin mbi degradimin e mjedisit.

”Ne jemi përfshirë vetë në këtë situatë të rrezikshme, prandaj është përgjegjësia jonë për të dalë’’, tha për median Hal, 15 vjeç i cili ndjek shkollën në lindje të kryeqytetit, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.

Manifestimi është më tepër një mesazh drejtuar politikanëve, një mënyrë për të sensibilizuar mbarë opinionin publik.

Protestuesit marshuan me pankarta në duar ku mund të lexohej ”Ne mbrojmë atë që duam’’,  ”Unë do të ndëshkohem për këtë’’ apo ”Do ta bëjmë sërish të mrekullueshëm planetin” (“Make Earth Cool Again”).