Integrimi
Migracioni në Gjermani dhe sfidat e fëmijëve shqiptarë
Pak histori…
Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, papritur u bë e qartë: Në Gjermani jetojnë më pak njerëz se sa mendohej. Tani emigrantët kanë bërë që numri të rritet përsëri, në 80.5 milionë. Për shkak të zhvillimit të saj demografik, Gjermanisë i nevojiten në vitet e ardhshme deri në 1.5 milionë punëtorë të kualifikuar nga jashtë vendit. Kjo do të ndihmonte “për të siguruar zhvillimin dhe për të stabilizuar sistemin social”, thonë ekspertët. Por, shoqëria gjermane duhet të vazhdojë të punojë për një kulturë që mirëpret emigrantët. Kjo është një detyrë e gjithë shoqërisë, e politikës, e kishës, sindikatave, e biznesit, pra të gjithë duhet të japin kontributin e vet. Në Gjermani krijohet përshtypja se të huajt bëjnë pjesë në grupin e njerëzve me arsim të dobët dhe që bëhen barrë për sistemin social të vendit. Por ky imazh është i gabuar. Shumë pak njerëz në Gjermani e dinë se në kategorinë e emigrantëve bëjnë pjesë të gjithë ata, të cilët kanë ardhur në territorin e Republikës Federale Gjermane pas vitit 1955 si dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë lindur në Gjermani, e po ashtu edhe fëmijët e fëmijëve të tyre.
Mbi 60 vjet kanë kaluar që kurse Gjermania ftoi të ashtuquajturit “Gastarbeiter”. Ndërkohë ky vend është bërë strehë për emigrantët, duke u bërë ndërkohë të pazëvendësueshëm. Gjermania në atë kohë kishte nevojë për punëtorë, ndërsa ata (të huajt) kishin nevojë për punë. Në vitet ‘50-ta dhe ‘60-ta ekonomia gjermane ishte në majat e zhvillimit, por mungonin krahë pune. Që nga viti 1965 erdhën fillimisht punëtorë italianë dhe më vonë ata nga Greqia dhe Spanja. Të ashtuquajturën „Marrëveshje për punësim” Gjermania e nënshkroi edhe me Turqinë, më 30 tetor 1961, e më pas edhe me ish-Jugosllavinë. Sipas statistikave zyrtare, më 2013 jetonin 16,5 milionë emigrantë në Gjermani, ose 20,5% e popullsisë. 9,7 milionë nga këta ndërkohë kanë pasaportë gjermane. Turqit janë me diferencë të madhe grupi më i madh i të huajve në Gjermani, me rreth 3 milionë.
Emigracioni shqiptar
Në vitin 1976, kur u ndërpre pranimi i “gastarbeiter”-ve nga ish-RSFJ, Enti për Punësim i KSA të Kosovës ka pasur një evidencë për 78.000 punëtorë të punësuar përkohësisht në Gjermani. Por, atëherë në Gjermani ata evidentoheshin vetëm si “jugosllavë”. Këta “gastarbeiter” nga Kosova ndërkohë sollën edhe bashkëshortet e tyre dhe numri i tyre u dyfishua në 150.000 mijë. Po të llogarisim se çdo çift kishte mesatarish dy fëmijë, atëherë kemi edhe 150.000 fëmijë të tyre (brezi i dytë i emigrantëve nga Kosova), që në total janë bërë 300.000 mijë. Prej atëherë kanë kaluar mbi 40 vjet, që do të thotë se kemi shtim tjetër të emigrantëve shqiptarë nga Kosova, por ndonjë evidencë zyrtare nuk është mbajtur as në Gjermani, e as në Kosovë. Në Gjermani deri vonë ata kanë pasur numrin evidentues 138 (tri shifrat e fundit), i cili vlente fillimisht për të gjithë emigrantët nga ish-Jugosllavia, pastaj e trashëgoi Serbia këtë shifër.
Prandaj shpesh edhe shumica e emigrantëve nga Kosova evidentohen si të ardhur nga Serbia.
Gjatë viteve 1990-1998 në Gjermani u vendosen edhe rreth 300.000 kosovarë. Shumica prej tyre kërkuan strehim politik për shkak të situatës mjaft të rëndë në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit. Rreth 200.000 janë pranuar kryesisht në bazë të vendimit të gjykatave që njihte statusin e shqiptarëve të Kosovës si “Gruppenverfolgung”. Në ndërkohë, meqë shumica e tyre ishin meshkuj, të moshës se re, të pamartuar, janë martuar dhe kanë krijuar familje me një ose dy fëmijë mesatarisht. Nuk duhet të harrojmë po ashtu që pas çlirimit të Kosovës janë kthyer shumë kosovarë në vendlindjet e tyre.
Në bazë të gjithë këtyre të dhënave rezulton se mund të jenë rreth 400.000 shqiptarë nga Kosova ose edhe më shumë që jetojnë aktualisht në Republikën Federale të Gjermanisë. Të paktën rreth 150.000 emigrantë shqiptarë janë të ardhur nga Republika e Maqedonisë. Nga Shqipëria duhet të jenë rreth 20.000 shqiptarë. Në total, tani në Gjermani duhet të jenë më shumë se 500.000 emigrantë shqiptarë. Një pjesë e madhe prej tyre janë integruar në shoqërinë gjermane, duke marrë shtetësinë gjermane.
Integrimi – prioritet i qeverisë gjermane
Prej vitesh qeveria gjermane nën drejtimin e kancelares Angela Merkel i ka kushtuar rëndësi të veçantë integrimit të të huajve që jetojnë në Republikën Federale. Integrimi sot është çështje e niveleve të larta. Emigrantët kanë të bëjnë me një grup të popullatës, tek i cili ndërkohë bën pjesë çdo i pesti dhe që rritet vazhdimisht, sepse ata sjellin në jetë më shumë fëmijë se popullsia e vendit. Brezi tashmë edhe më i ri në moshë, e ka më të lehtë rrugën e integrimit. Njohja e gjuhës gjermane ia mundëson edhe më shpejt këtë rrugë. Po ashtu kushtëzimi i marrjes së pasaportës gjermane duke kapërcyer një sërë “pengesash” është një tjetër faktor që e lehtëson emigrantin të jetë nesër një qytetar i barabartë me gjermanët, sepse njeriu që ka vendosur të jetojë në Gjermani duhet të dijë disa gjëra të rëndësishme për vendin, ku do ta kalojë pjesën tjetër të jetës.
Si rrjedhojë e kësaj situate, qeveria ka shtuar përpjekjet e saj për emigrantë të tillë me kualifikim të mirë. Ndërkohë që emigrantët në përgjithësi konsiderohen si shkaku i dobësive në sistemin e arsimimit.
Roli i gjuhës amtare – një sfidë për shqiptarët
Emigrantët e ardhur sigurisht që kanë sjellë me vete familjet e tyre, por edhe kanë krijuar ndërkohë familjet e tyre. Fëmijët e ardhur apo ata që lindin në Gjermani kanë të drejtën të mësojnë dhe të flasin „gjuhën e tyre të nënës”. Në rastin e të ardhurve nga Kosova apo Shqipëria, fëmijët me prindër shqiptarë mund të mësojnë shqip, një mundësi kjo e krijuar ligjërisht nga landet përkatëse nëpër shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Nuk është e detyrueshme, por thjesht një mësim mbi baza vullnetare. Këtë fat e kanë pasur veçanërisht fëmijët e landit të NRW. Këtu ka edhe një traditë më të hershme qysh në kohën e marrëveshjeve të bëra mes Gjermanisë dhe ish-Jugosllavisë së atëhershme. Në Gjermani shkollat e para të mësimit plotësues në gjuhën shqipe janë hapur në vitin 1977. “Por për fat të keq marrëveshja mes dy shteteve për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e mërgimtarëve nuk ishte shfrytëzuar aq sa duhej në atë kohë”, thotë një nga mësuesit veteranë të gjuhës shqipe në Gjermani, Rifat Hamiti.
Ndërkohë numri i nxënësve në Dyseldorf dhe rrethinë që prej asaj kohe është shtuar dukshëm.
Krahas mësimit të gjuhës shqipe, mësuesit janë edhe aktivistë të jashtëzakonshëm të këtyre fëmijëve në ruajtjen e traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare, duke krijuar një urë lidhëse mes dy vendeve, Gjermani-Kosovë, apo Gjermani-Shqipëri. Në shumë aktivitete nuk mungojnë veshjet e bukura me kostumet kombëtare të vajzave valltare që shfaqen në çdo festë apo aktivitete kulturor. Çdo shkollë shqipe ka edhe Këshillin e prindërve që luan një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e mësimit dhë të aktiviteteve. Por, a janë të kënaqur mësuesit me pjesëmarrjen e fëmijëve me prejardhje shqiptare në këto shkolla?
Sipas mësuese Etleva Gërbi-Mançe, e cila është ndërkohë edhe Kryetare e Këshillit të Arsimtarëve në këtë land, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në vitet e fundit është ulur ndjeshëm. “Një faktor që ka ndikuar në mosfrekuetimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, sipas saj, është edhe reforma arsimore e viteve të fundit në Gjermani “Ganztagschule”, nxënësit kanë mbasdite mësim të rregullt, si dhe alternativa të tjera, përveç gjuhës së nënës. Tekstet kanë qënë dhe mbeten një nga sfidat më të mëdha për mësuesit e shkollës shqipe, mbasi në shumicën e rasteve iu është dashur të improvizojnë çdo fletë pune. Detyra jonë si mësimdhënës është se si ta bëjmë sa më interesant mësimin, pra metodat janë ato që bëjnë mësimin tërheqës dhe jo përmbajtja”, thekson mesuese Etleva.
Ndërkohë u ndie nevoja e një aktiviteti mësimor, i cili do të kishte efekte shumëdimensionale në interes të nxënësve, mësuesve, prindërve e gjithë komunitetit shqiptar në Gjermani. Me iniciativën e vetë arsimtarëve u vendos zhvillimi i Kampionatit të Diturisë në vitin 1991, ku morën pjesë mbi 25 shkolla nga e gjithë Gjermania. Ishte një takim, i cili la mbresa të mëdha te të gjithë të pranishmit. Pas Hamburgut, Konkursi vazhdoi rrugëtimin në disa qytete, si: Köln, Rottweil, Dysedorf, Berlin, Vupertal, Nyrenberg, Hanover, Hagen apo Euskirchen. Andaj si i tillë u vendos të vazhdohet dhe të bëhet aktivitet tradicional deri sot.
I fundit u organizua më 21.03.2015 në Viersen. Konkurreca ishte edhe këtë herë e madhe, nxënësit ishin përgatitur dhe treguan nivel të lartë cilësor. Grupet fituese ishin Shkolla Shqipe e Viersenit, me mësues Adem Shalen në vendin e parë, në vendin e dytë Shkolla Shqipe e Arnsbergut me mësues Kemajl Çollakun dhe në vendin e tretë Shkolla Shqipe e Bergisch Gladbach me mësuese Mimoza Leka. Etleva Gëri-Mançe e vlerëson shumë këtë aktivitet. “Ky konkurs është dëshmia më e mirë që jo vetëm këngët dhe vallet janë kultura e traditat tona, por dijet, shkollimi, arsimimi i brezit të ri janë prioriteti ynë. Përgatitja serioze dhe cilësore e nxënësve spikat dukshëm në konkursin e diturisë, sepse këto dije do t’iu vlejnë një jetë të tërë”.
Sipas mësues Rifat Hamitit, interesimi i nxënësve për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë ka qenë shumë madh. Këtë aktivitet shkollor vazhdon ta mbështesë dhe ta përkrahë MASHT-i i Kosovës, por edhe Ministria e Diasporës së Kosovës. Edhe mësues Rifati, i cili së bashku me gruan e tij, Nexhmijen, e ushtrojnë këtë profesion prej më shumë se 20 vjetësh, është i pakënaqur me gjendjen e frekuentimit të fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.
„Në Landin e NRW, ku MGJO ka një trajtim shumë favorizues, nuk mund të jemi të kënaqur me përqindjen e përfshirjes së nxënësve. Në qytetet ku organizohet mësimi, përfshirja e fëmijëve në MGJO është rreth 30%, kurse në nivel të Landit rreth 10%”, vë në dukje mësues Rifati.
Arsyet e mospërfshirjes së fëmijëve në MGJO janë nga më të ndryshmet.
Por një prej të cilave veçon mësuesi veteran sot është pamundësia financiare e Shqipërisë dhe e Kosovës për riaktivizimin dhe zgjerimin e MGJO në të gjitha landet e RFGJ-së si dhe mungesa e një Marrëveshjeje ndërshtetërore për çështjen e MGJO në mes të Shqipërisë e Kosovës me RFGJ-në, etj.
Ndërkohë janë hedhur hapat e parë të një bashkëpunimi konkret mes Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me perspektivën e diasporës. Në mbledhjen e fundit të dy qeverive në Tiranë u nënshkrua një Marrëveshje për arsimin shqip në Diasporë, me dy ministrat përkatës të Arsimit dhe ministrit të Diasporës, Valon Murati si dhe një Memorandum bashkëpunimi në fushën e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta kulturore në Diasporë së bashku me dy ministrat e Kulturës. Marrëveshjet kanë si qëllim unifikimin dhe standardizimin e mësimit të gjuhës shqipe për diasporën, licencimin e mësimdhënësve dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, kulturës, traditës, historisë dhe gjuhës shqipe në diasporë.
Le të shpresojmë se këtë radhë fëmijët shqiptarë që jetojnë në Gjermani nuk do të zhgënjehen. Sepse, siç thonë edhe ekspertët, përvetësimi i gjuhës amtare është i rëndësishëm edhe për statusin social të individit. Njohja e gjuhës shqipe do të thotë jo vetëm njohja e vendit të origjinës, por në radhë të parë ruajtja e lidhjeve shekullore familjare.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?