Lajme

Mickoski dhe Zaev karantinohen për 14 ditë

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp njoftoi se dy liderët e partive më të mëdha në vend janë në izolim për shkak se kanë pasur kontakt me një gazetar, i cili tashmë ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

“Liderët e dy partive më të mëdha në vendin tonë, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, prej sot janë në izolim të detyrueshëm 14-ditor. Pas informatave që i mori Ministria e Shëndetësisë se një gazetar nga një medium, konkretisht nga një TV është pozitiv me Kovid-19, i cili javën e kaluar realizoi intervista me liderët e partive, LSDM dhe VMRO-DPMNE, menjëherë edhe Zaev edhe Mickoski janë testuar. Rezultati i Hristijan Mickoskit, i cili u përpunua mbrëmë vonë është negativ, por ai do të qëndrojë në vetizolim të detyrueshëm deri në 14 ditë nga kontakti me gazetarin e infektuar dhe për momentin nuk ka nevojë për anketa të tjera epidemiologjike. Rezultati i kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak se ai dje shkoi për Strumicë, do të jetë gati gjatë ditës së sotme, por edhe ai menjëherë pas informatave është vënë në vetizolim 14-ditor”, deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Edhe përkundër rezultatit të testimeve për Covid-19, liderët e partive do të duhet të qëndrojnë në izolim deri sa të kalojnë 14 ditë nga kontakti i fundit me të infektuarin me Covid-19.

Ndërkohë sa i përket gazetarit, ai është në gjendje stabile shëndetësore dhe po kurohet në Spitalin 8 shtatori, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.