Shqipëria

Meta pret për ditëlindje Nexhmije Pagarushën

Në 85-vjetorin e lindjes së “Bilbilit të Kosovës”, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka pritur në një takim të veçantë atë.

“Pata sot privilegjin e veçantë t’i uroj ditëlindjen e jetë sa më të gjatë Mbretëreshës së këngës shqiptare. Admirim e mirënjohje të thellë për të gjitha emocionet dhe krenarinë që zëri i saj i ka dhuruar kombit në dekada. Gëzuar ditëlindjen, e papërsëritshmja, artistja jonë e madhe, Nexhmije Pagarusha!”, ka shkruar Meta në rrjetin social “Facebook”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar ikonën e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushën, për 85-vjetorin e lindjes, përcjell albinfo.ch. “Diva e këngës, Nexhmije Pagarusha, hyri në mbamendjen e të gjithë brezave, duke lidhur shekujt 20-21 përmes fijeve të arta të muzikës burimore shqiptare”, ka thënë Haradinaj.

Meta, i kënaqur që arbëreshët e ruajnë gjuhën shqipe

Ndërkohë, Ilir Meta, ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatës “Vorea” me qendër në Frascineto, që konsiderohet si gjenerata e tretë arbëreshe. Ai ka thënë se përkujdesja e tyre për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi gjuhën e mrekullueshme shqipe, ritet, kulturën e traditat tona, frymëzon çdo shqiptar. “Mirënjohje për punën e palodhur të shoqatës “Vorea” me qendër në Frascineto, që promovon vlerat tonat kombëtare e punon prej vitesh për ripërtëritjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të arbëreshëve të Italisë me Shqipërinë”, ka thënë Meta.