Tematike

Mësuesit alarmojnë: Kompjuteri i bën fëmijët të harrojnë shkrimin e dorës

Shkrimi i dorës ka tepër pak hapësirë në shkolla. Dhe, kjo dukuri është duke shqetësuar edhe pedagogët zviceranë

Nxënësit sot shkruajnë tepër ngadalë, palexueshëm dhe kanë shumë shpesh ngërçe në të shkruar me dorë. Kështu thonë rezultatet alarmuese të një sondazhi të bërë në Gjermani me 2000 mësues. Shkrimi i dorës ka tepër pak hapësirë në shkolla. Dhe, kjo dukuri është duke shqetësuar edhe pedagogët zviceranë, ka shkruar gazeta “Schweiz am Wochenende”.

“Nxënëset dhe nxënësit sot faktilkisht nuk mund të shkruajnë aq gjatë pandërprerë tekste sikur para dhjetë vitesh”, thotë Beat Zemp, kryetar i Federatës së Mësuesve të Zvicrës, transmeton albinfo.ch. Dhe kjo, në një kohë që shkrimi me dorë ka përparësi të rëndësishme: ai ndihmon gjatë të mësuarit dhe stimulon drejtshkrimin, kuptimin dhe të nxënit rezultativ. Kjo vlen jo vetëm për fëmijet dhe të rinjtë. Studentët të cilët shënimet e tyre i mbajnë me shkrim dore, kanë sipas rregullit sukses më të mirë se sa të tjerët, të cilët të gjitha i shtypin në laptop, përcjell albinfo.ch. Shkrimi i dorës ka ndikim të madh edhe në kujtesën. Të shkruarit e ruan më mirë në mënyrë motorike atë që është mësuar. Në këtë mënyrë edhe informacionet e fituara me shkrim, më vonë hyjnë më mirë në përdorim.

“Ne kemi sërish nevojë për më shumë kohë që t`ua mësojmë fëmijëve shkrimin”, tërheqin vërejtjen mësuesit.

Nga viti 2014, kantonet gjermanishtfolëse rekomandojnë shkrimin bazik (fontin) më të lehtë për fëmijët, shkrim ky që është më eficient dhe bëhet pa shumë stilizime, transmeton albinfo.ch. Kështu, nxënësit zviceranë shkruajnë të shumtën lexueshëm. Por ndërkaq disa aftësi motorike mbeten gjithnjë më të papërfshira, thotë Zemp. Fëmijët do të duhej që sërish të bëjnë më shumë punëdore, të gatuajnë dhe të pikturojnë në shkollë. Këto aktivitete duhet të përforcohen sepse janë të rëndësishme për zhvillimin e tyre.