Gjuha

Mësimi në gjuhën shqipe në Zvicër ka një të ardhme të ndritur

Se puna e mësuesit është mision i shenjtë u dëshmua edhe të shtunën që shkoi, në Winterthur

“Të mësojmë mirë gjuhën amtare, që të dimë më mirë çdo gjuhë tjetër” ishte moto e festës së fundvitit shkollor me nxënësit e shkollës shqipe në Winterthur, Sennhof dhe  Embrach.

Se puna e mësuesit është mision i shenjtë u dëshmua edhe të shtunën që shkoi, në Winterthur.

Mësuesja e mësimit plotësues  në  gjuhën shqipe Elfete Hasi, në prag të përfundimit të vitit shkollor,  së bashku me nxënësit  e klasave të Winterthur-it, Sennhof-it dhe Embrach-ut ,në lokalet e shkollës Mattenbach në Winterthur-it  kishte organizuar një program të pasur me recitime, valle e këngë shqipe.

Protagonistët kryesorë të këtij programi ishin  vetë nxënësit  të cilët edhe pse ishin të moshave të ndryshme funksiononin si një trup i vetëm. Me vetëmohim dhe me talentin e tyre bënë të pranishmit që të emocionohen e t`u duartrokisnin pandërprerë.

Me këtë rast nxënësve të klasave të teta të cilët sivjet përfundojnë mësimin në gjuhën shqipe, me një ceremoni solemne iu ndanë edhe diplomat të cilat ua ndau  mësuesja e tyre Elfete Hasi dhe Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Kantonit të Cyrihut.

Në vazhdim, me recitimet e tyre u prezantuan edhe fëmijët të cilët mezi prisnin të dilnin e të prezantoheshin me poezitë e mësuara shumë mirë e me kujdes të veqantë. Rinesa, Redifja, Driola, Lirona, Agnesa, Ensari, Rinori, Arlindi, Majlinda, Bleroni, Bleta, Arza, Donika, Albina, Laureta, Sania, Bleona e shumë të tjerë i recituan  vjershat si: “Nënat dhe Mësueset”, “Gjuha Shqipe”, “Libri i historisë”, “Fëmijët mërgimtarë”, “Shqiptar Jam e shqip nuk di”, “E dua nënën”, “Fol shqip”, “Fjalët e qiririt”, “Atdheu”, “Të drejtat e fëmijëve”, “Presheva”, “Pse jemi ndarë” etj.

Ata recitonin me shumë e emocione e mallëngjim, për vendlindjen e prindërve e atdheun e tyre sepse  ata vet të gjithë ishin të lindur në Zvicër dhe mund të konsideroheshin edhe si gjeneratë e dytë dhe disa i takonin edhe gjeneratës së tretë. Këtë manifestim e nderoi me pjesëmarrjen e saj edhe rapsodia e këngës shqipe, Ajshe Fetaj, djali i së cilës  rregullisht ndiqte mësimin plotësues në Winterthur.

Mësuesja Elfete Hasi me punën e saj të palodhshme e vetëmohuese dhe me përkrahjen  e pa rezervë të prindërve të nxënësve, të cilët  ishin edhe iniciues të kësaj feste, tregoi se mësimi në gjuhën shqipe në Zvicër megjithatë ka një të ardhme të ndritur dhe se ajo i ka vënë vetes për detyrë një qëllim të shenjtë, atë të arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj që po rriten larg trojeve shqiptare. Numri i madh i të pranishmëve tregoi edhe një fakt: se shqiptarët janë më se të vetëdijshëm për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe.

Këtë e theksoi edhe më shumë mësuesja Elfete Hasi duke folur për alninfo.ch në një intervistë të shkurtër. Ajo ceku se kohëve të fundit ka mjaft prindër të interesuar që të dërgojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe. Këtë vetëdijesim të mërgimtarëve shqiptarë ajo e çmon shumë sepse një fëmijë i cili e flet dhe e shkruan mirë gjuhën e vet amtare, ai fëmijë mbi atë bazë i flet e i shkruan po aq mirë edhe gjuhët tjera. Në një konkludim të tillë, vazhdon mësuesja Elfete, “kanë ardhur shumë hulumtime e studime të bëra nga autoritetet pedagogjike zvicerane. Ato kanë dëshmuar se fëmijët e prindërve me prejardhje të huaj të cilët kanë ndjekur mësimin plotësues në gjuhën amtare, janë më të suksesshëm në shkollë. Pra pikërisht për këtë arsye, shumë mësimdhënës zviceranë i këshillojnë prindërit e nxënëseve të tyre me prejardhje nga vendet e ndryshme, që t`i dërgojnë fëmijët në mësim plotësues. Një gjë e tillë edhe ka ndikuar indirekt në shtimin e numrit nxënëseve edhe në shkollën shqipe”, thotë Elfetja.

Në Kantonin e Cyrihut momentalisht mësimi zhvillohet në njëzet e gjashtë gjuhë të ndryshme. Shumica e mësimit në këto gjuhë zhvillohet që nga viti i dytë parashkollor, sepse ka disa vite që mësimi parashkollor ( Kindergarten) është i inkuadruar si pjesë e rregullt e sistemit shkollor. “Përveç dy, tri gjuhëve, në mesin e tyre edhe mësimi në gjuhën shqipe, në shumicën e gjuhëve tjera mësimi mbahet që nga viti i dytë  parashkollor.  Ajo shpreson që në të ardhmen e afërt do të startohet sa më herët me mësim e në gjuhën shqipe”, ceku në vazhdim mësuesja Elfete, sepse, sipas saj, sa më herët që fillohet me mësim aq më të përgatitur janë fëmijët kur të startojnë klasën e parë.dhe me këtë rast i fton të gjithë prindërit që të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, për një të ardhme të ndritur e të suksesshme të tyre.
Në fund të këtij manifestimi të organizuar nga nxënësit e prindërit e tyre iu bë një falënderim mësueses për punën e angazhimin e saj me ç’rast iu dhurua një buqetë lulesh dhe një fotoalbum me fotografitë e të gjithë nxënësve të cilët kishin nxënë mësim te mësuesja Elfete, deri tani gjatë punës 19 vjeçare të saj. Ajo, tejet e emocionuar falënderoi të gjithë për respektin që treguan për të dhe ishte kjo një mirënjohje për punën e saj të deritashme dhe motivim për punë të mëtejme.

Prindërit me ushqimet të cilat i kishin sjellë me vete e bënë këtë festë edhe më të ngrohtë dhe treguan zemërgjerësinë dhe mirënjohjen e tyre ndaj punës dhe angazhimit të mësueses Elfete Hasi.

Po përfundojmë këtë artikull me një thënie të Eqrem Çabejt: “Për një popull gjuha është një gjë e çmuar. Por, për shqiptarët është e vetmja gjë e çmuar që e kanë“.

Mësuesja Elfete pret ndihmën e të gjithëve për mbarëvajtjen e mësimit shqip

Mësuesja Elfete Hasi vjen nga Burimi (Istogu)  është e martuar dhe ka dy fëmijë. Në Zvicër jeton prej 20 vitesh nga të cilat 19 vite të tëra ka punuar në LAPSH dhe në projekte edukativo arsimore me shkolla dhe shoqata të ndryshme në Zvicër. “Mësimi me fëmijë, edukimi i tyre si dhe dashuria për fëmijët që të rriten në frymën edukativo arsimore të mirëfilltë pa harruar gjuhën dhe identitetin e tyre, është motivi më i madh për punën time”, thotë mësuesja. Ajo thotë se ka sfida në punën e saj si në çdo punë tjetër “por do të bëj përpjekje që çdo gjenerate të re t`ia mësoj gjuhën e nënës dhe vlerat e popullit tonë”. Por, në këtë punë, mësuesja Elfete pret edhe ndihmesën e LAPSH-it, mbështetje kjo që nuk ka munguar asnjëherë. Ajo po ashtu pret përkrahje edhe nga prindërit e nxënësve. “Të na ndihmojnë në këto aktivitete mësimore dhe të na mbështesin pa reshtur duke i dërguar fëmijët e tyre në shkollën shqipe”. Ndërsa lidhur me të ardhmen e saj si mësuese, Elfete Hasi thotë: “Është vështirë të ndahesh nga fëmijët me të cilët ke punuar një kohë të gjatë, që më duan dhe i dua shumë. Prandaj shpresoj të vazhdoj aktivitetin edukativo arsimor”. Momentalisht mësuesja Elfete  ka gjashtë paralele ku ajo jep mësim , tri në Winterthur, një në Seenhof, një në Zürich dhe një në Embrach me gjithsejt tetëdhjetë e katër nxënës.