Integrimi

Mësimi i gjuhës së vendit, çelës për integrimin e gruas

Në organizim të albinfo.ch dhe Britisch Council u mbajt në Bernë tryeza me temën "Gruaja migrante dhe gjuha: trashëgimia kulturore apo integrimi"

Gratë me prejardhje të huaj përballen me sfidën e përcaktimit në mes të trashëgimisë kulturore që bartin me vete nga vendlindja dhe integrimit. Kjo sfidë është më e mprehtë për gratë shqiptare kur dihet barra e traditës së patriarkalizmit që shpesh u ngarkohet atyre.
Tejkalimi i kësaj barre, njohja e gjuhës së vendit ku gruaja jeton si e huaj, vendosja e prioriteteve në mes të trashëgimisë kulturore dhe integrimit, kanë qenë temat e tryezës e cila u mbajt të premten e kaluar në Bernë, në organizim të British Council dhe albinfo.ch në Bernë.

Në panel merrnin pjesë Yvonne Riano, profesoreshë e Universitetit të Bernë, specialiste e migracionit; Corina Eichenberger, deputete në Parlaentin e Zvicrës, Luljeta Nuzi, kryetare e programit “Shpresa”  në Londër dhe Marylone Vial-Pittet, koordinatore e kurseve të frëngjishtes për gratë migrante në Friburg. Debatin e drejtoi me kompetencë, gazetari zviceran Daniel Hitzig.
Pjesëmarrësit i ka përshëndetur drejtori i platformës albinfo.ch, dr. Bashkim Iseni, i cili ka bërë të ditur temën e debatit dhe ka prezantuar platformën që e udhëheq.

Shpresa” dhe gratë që mësojnë anglishten më mirë se burrat
 
Rrëfimi i përfaqësueses së programit “Shpresa” të Londrës, Luljeta Nuzi mbi pozitën e gruas shqiptare në Britaninë e Madhe në raport me gjuhën e vendit, me disa specifika, ishte mjaft përfaqësues edhe për gratë shqiptare në vendet tjera. Edhe pse “Shpresa” nuk ishte program vetëm për gratë, ato kanë qenë në fokus të saj për shkak të problemeve shtesë me të cilat ballafaqohen gratë në mërgim. Nuzi ka shpjeguar mënyrën e ndërtimit të programit që udhëheq, e që ndryshon nga praktikat të cilat zakonisht i ndjekin projektet e ngjashme. “Së pari krijoje pastaj kërko financimin”, ky është parimi në të cilin jemi bazuar dhe kjo është më e qëndrueshme se sa të aplikosh me një projekt dhe të presësh financimin pa lëvizur nga vendi, mendon Luljeta Nuzi.

Ajo ka nënvizuar disa probleme në Angli që preokupojnë më shumë gratë dhe që kanë shtyrë ato të angazhohen më tepër që të mësojnë anglishten. Siç dihet, nënat më shumë se baballarët, (të cilët zakonisht punojnë), janë bashkë me fëmijët prandaj ato përballen me problemet me komunikimin me mësuesit e fëmijëve, dërgimin e fëmijëve te mjeku etj., ka thënë znj. Nuzi. Ajo ka folur edhe për trajtimin që u büehet të huajve në Britani të Madhe, për funksionimin e sistemit social atje etj.

Ruajtja e identitetit nuk e përjashton integrimin

Cili është angazhimi i fundit i Parlamentit Nacional të Zvicrës lidhur me gratë migrante, ka qenë pyetja që moderatori i ka drejtuar deputetes Eichenberger. Ajo ka pranuar se debat të specifikuar vetëm për femrat migrante nuk ka pasur por, në seancën nga e cila ajo po vinte, ky parlament kishte marrë një vendim të rëndësishëm për të huajt. Fjala është për ndryshimin e ligjit mbi natyralizimin e të huajve, me të cilin kriteri bazë për të fituar pasaportën zvicerane është qëndrimi 10 vjet dhe pasja e lejes së përhershme të qëndrimit (Viza C).

Pastaj Eichenberger ka folur për raportin në mes të integrimit të të huajve në shoqërinë e re dhe ruajtjes së identitetit. Ajo ka thënë se ky raport në Zvicër funksionon mirë, duke përmendur me këtë rast shembullin e italianëve të cilët kanë ardhur këtu prej më shumë se 50 vitesh dhe janë integruar mirë, duke ruajtur kulturën e prejardhjes.

Deputetja Eichenberger pastaj ka përmendur si risi të ligjit mbi natyralizimin futjen e provimit të gjuhës për ata që duan të marrin pasaportën zvicerane. Ndërsa koordinatorja e kurseve të gjuhës për gratë migrante,  Marylone Vial-Pittet duke kundërshtuar kriteret e ligjit të ri konsideron se caktimi i nivelit të njohjes së gjuhës në shkallën B1 me shkrim dhe me gojë është shumë jorealist. “Të huajt mund të jenë të integruar mirë edhe pa e njohur gjuhen në atë nivel, siç mund të jenë edhe të paintegruar dhe ta njohin gjuhën në mënyrë të përsosur”.

Vial-Pittet ka folur edhe rreth bashkëpunimit me shoqatat shqiptare në regjion, një bashkëpunim që, siç ka thënë ajo, është në nivel, ndërsa nuk ka qenë në gjendje të japë ndonjë shifër për gratë shqiptare që kanë ndjekur kurset e gjuhës që ajo i koordinon. Janë 72 komunitete që jetojnë në kanton dhe të gjithë përfitojnë nga këto kurse, ka nënvizuar Vial-Pittet.

Për profesoreshën e Universitetit të Bernës dhe specialisten e migracionit, Yvonne Riano, niveli shkollor i grave migrante në 15 vitet e fundit ndryshon nga ai që ishte më parë. Tash në Zvicër vijnë më shumë gra të shkolluara. Megjithatë, Riano ka theksuar se mbetet detyrim i qeverisë, në nivel qendror, kantonal dhe lokal për aftësimin e grave migrante në sferën e gjuhës.

Integrimi gjuhësor dhe “schweizerdeutsch”
 
Ajo ka folur edhe për tendencën që gratë me sfond migracioni të orientohen vetëm për profesionet “tipike të grave”, gjegjësisht për punë në shëndetësi ose me fëmijë. Kjo sferë duhet zgjeruar, në mënyrë që gratë të participojnë në mënyrë të barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ka theksuar Riano.

Duke folur lidhur me integrimin në rrafshin gjuhësor, profesoresha me rrënjë gjuhësore spanjolle ka vënë theksin edhe në një specifikë brendazvicerane: në kantonet gjermanishtfolëse, integrimi gjuhësor paraqitet më i vështirë pasi që këtu, përveç gjuhës standarde “hochdeutsch”, për komunikim të nevojitet edhe përdorimi i dialektit “schweizerdeutsch”. Ndërsa kantonet frankofone nuk e kanë këtë problem pasi që kanë një gjuhë pak a shumë të standardizuar.

Lidhur me specifikat e dialekteve të gjermanishtes në Zvicër është angazhuar edhe deputetja Eichenberger. Ajo është shprehur kundër vendimit në kantonin e saj (Aargau) që në nivelin parashkollor të flitet vetëm dialekti dhe jo gjuha standarde gjermane.

Debat i gjallë dhe cilësor

Duke marrë pjesë në debat, drejtori i platformës albinfo.ch dr. Bashkim Iseni, në cilësinë e bashkorganizatorit, ka folur rreth organizimit të mësimit në gjuhën shqipe në Zvicër. Është një rrjet mësuesish (LAPSH “Naim Frashëri”) që vepron prej më shumë se 20 vitesh, në kuadër të të cilit mësuesit, kryesisht në baza vullnetare, ua mësojnë shqipen fëmijëve të moshës shkollore, ka thënë Iseni. Por, ka shtuar ai, me ndërrimin e gjeneratave të mërgimtarëve, shtohen vështirësitë në kultivimin e këtij lloji të mësimit. 

Kontributet e panelisteve janë konsideruar mjaft cilësore dhe kanë nxitur një debat, në formë të paraqitjes së pyetjeve nga publiku, i përbërë po ashtu nga personalitete me kompetencë për çështjet e shtruara. Pjesëmarrësit, në një debat që ka zgjatur përtej kohës së paraparë, kanë shtruar pyetje dhe kanë prekur probleme që lidhen me temën e debatit, duke i trajtuar ato nga këndvështrimi i tyre.

Mënyra e trajtimit të të huajve nga institucionet zvicerane, fakti nëse të huajt duhet pritur më shumë nga shteti apo duhet dhënë prioritet iniciativave private dhe shumë preokupime tjera janë rrahur në debatin e pasur, të zhvilluar në përfundim të tryezës.

Ambasadori i BE-së Richard Jones dhe ai i Britanisë së Madhe, David Moran në cilësinë e mysafirëve specialë kanë përshëndetur organizimin duke folur në superlativ për nivelin e debatit dhe me përzgjedhjen e temës.

Moran ka shkoqitur dallimet në mes të sistemit të integrimit në Zvicër dhe atij në Britani të Madhe. Ai ka theksuar se ato kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre, duke pasur parasysh edhe dallimet që ka struktura e migracionit në vendin e tij nga ajo në Zvicër.  

Debati dhe këmbimi i mendimeve ka vazhduar edhe në aperon e përgatitur me ushqime nga kuzhina shqiptare në përmbyllje të tryezës.