Integrimi

Mësimdhënësit e LAPSH-it u pritën në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë

 

Më 3 mars 2016, në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, një grup mësimdhënësish të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, u pritën nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Gjoni, i shoqëruar nga stafi diplomatik z. Kastriot Noli. Në këtë takim që pati karakter pune mori pjesë edhe ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Republikës së Kosovës z. Mustafë Xhemaili. Grupi i punës i LAPSH-së ishte i përbërë nga Nexhat Maloku, Kryetar i LAPSH-“ Naim Frashëri” në Zvicër, Nezir Mehmetaj, Naser Ulaj dhe Nexhmije Mehmetaj.

Ambasadori z. Ilir Gjoni, shprehu mirënjohje për punën e mësimdhënësve siç tha” shumë fisnike në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe edhe në gjirin e diasporës mbarë shqiptare në Zvicër. “Pra, kontributi që jepni ju është shumë i çmuar, luani një rol të madh për të ndihmuar brezin e ri. Ne do të përpiqemi që të u ndihmojmë me të gjitha mundësitë tona që kemi”, u shpreh ai.

Ndërsa z. Xhemaili informoi se Ministria e Diasporës dhe e Arsimit të Kosovës në bashkëpunim me MASH e Tiranës po punon me intensitet dhe përkushtim që të kurorëzojë me doemos njësimin e Kurrikulës me Plan-programet mësimore të përbashkëta, për harmonizimin e Shkollave me mësim plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Më pas fjalën e mori z. Nexhat Maloku, i cili paraqiti të dhënat e gjendjes aktuale të organizimit të shkollës së mësimit plotësues në Zvicër. Cilat janë shkollat e mësimit plotësues? Cila është përmbajtja, struktura dhe strategjia e tyre.

Numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë në shkollat publike në kantonin e Cyrihut është 8000. Ndërsa shfaqi shqetësimin se fëmijët që vijojnë mësimin plotësues shqip janë vetëm 600 nxënës. Ai tha se ndihma nga dora e shtetit është më së e domosdoshme në ketë drejtim.

Aktualisht mësimi zhvillohet në 14 Kantone, me 57 mësimdhënës, në 160 klasa dhe me 1809 nxënës. Bashkëpunimi i LAPSH-it shtrihet përmes: Kryesisë Qendrore; Kryetarëve kantonal; Këshillave të prindërve. Bashkëpunimi shtrihet mes Drejtorive të Arsimit të Zvicrës, me SHP të Cyrihut dhe me MASH – in e Republikës së Kosovës.

Përmbajtja e tyre mbështetet në plan- program të hartuar në MASH të Kosovës për mësimin plotësues në diasporë. Tekstet shkollore të miratuara po nga Ministria janë 19 fletore tematike pikërisht për ketë mësim. Së fundi është botuar edhe Didaktika e shkollave me mësim plotësues që do të ndihmojë mësimdhënien dhe mësim-nxënien.

Sfidat kryesore të LAPSH-it janë mungesa financiare për mësimdhënës dhe pjesëmarrja e ulët e nxënësve në mësimin plotësues.

Disa kërkesa që u shprehën edhe në këtë takim, ishin: Nevojitet një plan strategjik për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në mërgatë së pari Ministritë Tiranë- Prishtinë –Shkup duke shqyrtuar mbështetjen financiare; Gjetja e formave për ndërgjegjësimin e prindërve në dërgimin e fëmijëve në orët e mësimit shqip, shkollat që na i ka lejuar pala zvicerane mos të mbesin të zbrazëta; Të punësohet një person përgjegjës për Mësimin plotësues në kuadër të ambasadës ose të Qendrës Kulturore në Zvicrës; Të bisedohet për mundësitë e financimit të mësuesve nga institucionet përkatëse të Zvicrës; Të shikohet mundësia e krijimit të një fondi nga ana shqiptare për përkrahjen e mësimit plotësues në Zvicër; Në portalet e Ambasadave tona të zë vend edhe Adresa e LAPSH-it me njerëz kontaktues të Shkollës me mësim plotësues; Një herë në vit të organizohet një takim me përfaqësuesit e bizneseve shqiptare në Zvicër në përkrahje të mësimit plotësues shqip etj..

Të dy Ambasadorët u deklaruan se do të përcjellin kërkesat e LAPSH-it pranë institucioneve në Shqipëri dhe Kosovë. Por treguan gatishmëri për mbështetje tjera të mundshme organizative që përmes shërbimeve në Ambasadë dhe Konsulta do të përcjellin tek masa një fletëpalosje me njohuri mbi rëndësisë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.