Feja
Mesazhi për Krishtlindje: Ruajeni familjen!
Besimtarë të krishterë shqiptarë në Zvicër këtë të diel, duke vijuar ritet e tyre fetare me rastin e Krishtlindjeve u lutën për më shumë paqe, mirësi, begati dhe për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit.
Njëri prej besimtarëve tha se Krishtlindjet i kujtojnë më shumë se kurrë sepse duhet të kenë dashuri njerëzit mes vete, sidomos me ata në vendlindje.
© albinfo.ch: Pren Gjoni nga Gjakova
Pren Gjoni nga Gjakova me vendbanim në Vetzikon të Cyrihut nuk i fsheh ndjenjat dhe thotë se do të ishte më i lumtur nëse për Krishtlindje do të ishte i pranishëm në Kosovë.
Edhe pse një kohë të gjatë në Zvicër, Preni me prejardhje nga Gjakova tha se do të ishte më mirë të festonin sot bashkë me familjarët që i kishte në Kosovë.
„Ne do të gëzoheshim më shumë nëse do të shkonim të festojmë Krishtlindjet bashkë me familjen në Kosovë. Sot është ditë e madhe, ngase festojnë të gjithë të krishterët në tërë botën. Të gjithë luten për paqe dhe lumturi në familjet e veta. Kjo festë na mëson që të bëhemi solidarë dhe t’i ndihmojmë të varfrit në vendlindje“, tha ky besimtar i krishterë nga Gjakova.
Të njëjtin mendim nuk e ndante Manuel Cenaj, një besimtar tjetër po ashtu nga Gjakova, i cili bashkë me familjen e tij ia kishte mësyrë të dielën kishës në Alstete të Cyrihut.
Cenaj tha se gati e tërë familja e tij tashmë jeton në Zvicër dhe se festa bëhet më madhështore me vizitat që u bën të afërmve.
„Kjo festë është e madhe sepse ka lindur Krishti dhe kemi ndjekur mësimin e tij. Ne ndajmë festën me familje. Përgatisim sofrën e pasur me mish, pite dhe shumë ëmbëlsira“, tha Cenaj.
Në mesazhin e tij në gjuhën shqipe për ditën e Krishtlindjeve, në Kishën Katolike në Altsteten të Cyrihut, meshtari Don Albert Demaj u bëri thirrje besimtarëve të mbledhur që në frymën e kësaj feste të ruhet familja për një të ardhme të begatë të tyre.
„Kërshëndellat janë festa familjare. Sa ne kuptojmë, familja është institucioni më i vjetër, familja është institucioni më i shenjtë? Krishti lindi dhe u rrit në një familje, duke dëshiruar t’u bëjë me dije të gjithëve, sidomos juve si prindër detyrën e shenjtë, përgjegjësinë e madhe që e keni në lindjen, rritjen dhe edukimin e fëmijëve tuaj“, tha para besimtarëve prifti Demaj.
Sipas Don Albert Demaj, ai popull që lejon t‘i shkatërrohet familja, ai popull nuk gjen paqe dhe nuk ka ardhmëri.
„Familja e shëndoshë, familja që jeton në paqe dhe dashuri është garanci më e mirë për një ardhmëri të qetë dhe të lumtur“, tha prifti në meshën e Krishtlindjeve, duke porositur besimtarët të pranojnë mësimin e Krishtit.
Ai në predikimin e tij ka kujtuar edhe një herë historinë e lindjes së Krishtit në Betlehem.
Meshtari Don Albert Demaj tha për Albinfo.ch se populli shqiptar ka një traditë të veçantë sa u përket Krishtlindjeve, por që në Zvicër një rit i tillë nuk mund të praktikohet.
“Do të thotë, duhet të sigurohet në mal një dru i njomë, i cili quhet “druri i Buzmit”, të cilit në një ceremoni i bashkohen simbolikisht “të gjitha të mirat që i ka falë Zoti”, tregon për këtë rit tradicional të shqiptarëve prifti Demaj.
Megjithatë kërshëndellat karakterizohet me mbajtjen e meshave në disa qytete të Zvicrës, vizita familjarëve dhe organizohen manifestime të ndryshme për ta bërë më madhështore këtë festë të rëndësishme të besimit katolik.
Në pyetjen tonë pse në mesazhin e tij për Krishtlindje ishte përqendruar më shumë te familja, prifti përgjigjet duke shprehur shqetësimin për rrezikun që po i kanoset asimilimit të familjeve shqiptare në diasporë.
„Misioni katolik shqiptar luan në rol të rëndësishëm në ruajtjen edhe të vlerave kombëtare të shqiptarëve të këtushëm, e jo vetëm atyre fetare“, thekson prifti Demaj.
“Ne jemi ambasador i popullit tonë që t‘i mësojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë që të luten në gjuhën e të parëve tanë, përndryshe është e njëjtë, ne jemi të besimit katolik dhe të rinjtë mund të shkojnë edhe në kishat zvicerane“, thotë në këtë bashkëbisedim për Albinfo.ch prifti Don Albert Demaj.
Tri misione katolike në Zvicër janë në shërbim të besimtarëve të krishterë shqiptarë, misioni në Lucern, Argau dhe në Turgau
Krishtlindja është festë përmes së cilës përkujtohet lindja e figurës qendrore të krishterimit – Jezu Krishtit. Edhe pse hyn në radhën e festave katolike, Krishtlindja gjithashtu festohet nga një numër në rritje i jo të krishterëve në mbarë botën.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës