Lajme

Merkel uron Bidenin: Do t’i bashkojmë forcat për luftimin e COVID-19

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka uruar Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Angela Merkel i ka ofruar urimet e saj të përzemërta presidentit amerikan të zgjedhur Joe Biden dhe nënkryetares së tij të zgjedhur Kamala Harris, duke thënë se ajo pret të punojë së bashku me ta për qëllimet e përbashkëta, duke përfshirë luftimin e pandemisë, emergjencën e klimës dhe rimëkëmbjen ekonomike, raporton Reuters.

Ajo gjithashtu u zotua se Gjermania dhe Bashkimi Evropian do të marrin në të ardhmen më shumë përgjegjësi për çështjet kryesore – në veçanti të mbrojtjes – se sa në të kaluarën.

Ajo nuk e përmendi presidentin në ikje Donald Trump në fjalën e saj, por pranoi që Biden dhe Harris ishin zgjedhur në një kohë shumë të konfliktuar.

Merkel theksoi rëndësinë e marrëdhënies së të dy vendeve dhe tha se pa mbështetjen e SHBA-së, ribashkimi gjerman 30 vjet më parë nuk do të ishte kurrë i mundur, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Ajo shtoi se të dyja vendet duhet të qëndrojnë së bashku për të kapërcyer sfidat kryesore, të tilla si pandemia e koronavirusit, ngrohja globale dhe terrorizmi.