Lajme

Merkel: Të ndalohet operacioni ushtarak në Siri

Pas marshimit dhe sulmeve të trupave turke në Siri, ka reaguar kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Ajo u ka kërkuar “ndërprerjen e menjëhershme të operacionit ushtarak” të Turqisë në Siri.

Një zëdhënëse e Qeverisë gjermane ka bërë të ditur se këto fjalë Merkel i bëri gjatë një bisede telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas saj ky operacion po kërcënon zhvendosjen në masë të madhe të popullsisë lokale, po destabilizon rajonin dhe po rrezikon ringjalljen e grupit militant Shteti Islamik, pavarësisht interesave legjitime të sigurisë që ka Turqia, tha zëdhënësja e Qeverisë gjermane.

Meqenëse Turqia ka nisur para pesë ditësh operacionin ushtarak në veri të Sirisë, duke thënë se ka për cak milicive kurdë dhe ata të IS-it, por aleatët perëndimor e kanë kritikuar këtë veprim të Ankarasë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 130 mijë persona janë zhvendosur pas përshkallëzimit të dhunës në verilindje të Sirisë, përcjell albinfo.ch.