Bota

Merkel: Evropa, para një sprove historike

Angela Merkel e sheh Evropën në çështjen e refugjatëve para një sprove historike.

Këtë kancelarja gjermane e deklaroi në Bundestag, në lidhje me takimin e nivelit të lartë të BE-së.

Në Bruksel do të diskutohet për faktin nëse në rrugën e tanishme për të luftuar shkaqet e arratisë dhe për t’i mbrojtur kufijtë e jashtëm, është avancuar në atë masë sa t’ia vlejë që rruga të ndiqet edhe më tej.

Frenimi i migrimit ilegal në këtë mënyrë është parakusht që të pranohen kontigjentet legale të synuara të refugjatëve në Evropë.

Në takimin e shefave të shteteve dhe të qeverive të BE-së, që do të nisë të enjten, në qendër të vëmendjes është kriza e refugjatëve. Merkeli angazhohet për një mënyrë të përbashkët veprimi të shteteve anëtare të BE-së dhe për një ndarje të drejtë të refugjatëve, por has me këtë në rezistencë.

Merkeli tha se BE-ja do ta bënte veten “qesharake” nëse diskuton për kontigjentet e pranimit të refugjatëve për aq kohë sa nuk është zbatuar “as në fillimet e saj” shpërndarja për të cilën është rënë tashmë dakord e 160.000 refugjatëve nëpër shtetet anëtare.