Shkurt.ch

“Merimanga” bart makinën me gjithë të vdekurin!

Shoferi i kësaj makine po e bartte nga Lioni një të vdekur për në Portugali ku ai duhet të varrosej

Policët e Shërbimit për bartjen e makinave të parkuara gabimisht (“merimanga”) ka pasur një punë paksa të veçantë ditë më parë në Toulouse të Francës. Ata kanë hequr nga vendi ku ishte parkuar gabimisht një veturë që transporton të vdekurit, pa ditur se brenda saj vërtet ndodhej sarkofagu me njeriun e vdekur brenda!

Shoferi i kësaj makine po e bartte nga Lioni një të vdekur për në Portugali ku ai duhet të varrosej, shkruan welt.de. Pas kthimit nga hoteli ku shoferi  kishte kaluar natën, ai nuk e kishte gjetur makinën në vendin ku e kishte parkuar! 

“Policët nuk e kanë ditur se bëhet fjalë për një makinë transportuese të kufomave”, ka thënë zëvendëskryetari i qytetit. Asgjë nga jashtë nuk të jepte një përshtypje të tillë. Dhe aq më pak ka mundur tu shkonte mendja atyre se në makinë gjendej sarkofagu me të vdekurin brenda. Thjesht, makina aty ku ishte parkuar, e kishte bllokuar rrugën. Pasi që policët kishin pritur plot dy orë për të gjetur shoferin, ata kishin vepruar…

Shoferi, edhe pse tashmë dihet se çfarë ka pasur në veturë, nuk do t`i shpëtojë dënimit. Për parkim të gabuar ai do të paguajë 35 euro ndërsa për shërbimin e bartjes së makinave pagesa është 90 euro.