Lajme

Mërgimtarja e denoncon burrin për dhunë, e sulmoi pasi vendosi të shkojë në pushime me fëmijë

Kosovë: Denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora

Numri i rasteve të dhunës në familjet kosovare është në rritje çdo ditë e më shumë. Jo rrallëherë ndodh që në Polici të denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora, të cilët i zë sherri posa arrijnë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një grua në Viti, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj, me të cilin është e martuar qe rreth 30 vjet – por jetojnë të ndarë në Zvicër.

Media mëson se viktima ka kërkuar ndihmë në Polici, duke pretenduar se burri i saj e ka penguar që të shkojë në pushime me fëmijët e tyre – për të cilët përkujdeset ajo.

Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari edhe ka ushtruar dhunë, duke e goditur – çka e shtyri atë që ta raportojë rastin.

Si rezultat, Policia është aktivizuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke siguruar prezencën e të dyshuarit.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar si i dyshuar për këtë rast.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje”.