Zhvillim
Mërgimtari i panjohur
Shumë vjet më parë, të rinjë lindur e rritur në familje jo fort të kamura, me një strajcë në shpinë e pak para në xhep ia mësynë vendeve të ndryshme të Evropës (e jo vetëm), bash sikur Tokës së Premtuar. Një pjesë e mirë e tyre, i dhanë nga një premtim vetes e nënave të tyre që i përcillnin me mall tek dera e oborrit duke ua hedhur nga një gotë ujë nga mbrapa për fat; premtimin se një ditë do të kthehen. Numri i emigrantëve shqiptarë nëpër botë tregon se jo gjithmonë premtimet mbahen lehtë dhe se dëshira shpesh humbet kokëulur para nevojes.
Sidoqoftë, ata të rinj të dikurshëm u bënë burra, baballarë e gjyshër. Edhe nëse nuk u kthyen përgjithmonë, nuk rreshtën kurrë së qeni të lidhur fort me tabanin e tyre, me njerëzit e tyre, në një formë a një tjetër.
Sot, pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë janë të rinj, që herë për inercion e herë për qejf, vazhdojnë të kthehen çdo verë në vendin ku s’i lidh asgjë tjetër pos rrëfimeve dhe farefisnisë. Takojnë njerëz që flasin pak a shumë shqip si ata, por që mendojnë goxha ndryshe pothuajse për gjithçka. Edhe ne, njerëzit e luftës së kobshme, varfërisë së skajshme dhe makiatove “ma t’mira prej krejtve”, i presim, e dimë kur do të vijnë, e ndjejmë praninë e tyre që nga aroma e parfumeve e deri tek targat e veturave të shtrenjta. Ne i vërejmë, dhe në kokën tonë bluajmë mendime për sjelljen e personalitetin e akëcilit.
Mërgimtari lazdran
Për dikë prej nesh, është ai punëtori i përulur që nuk paguhet kushedi sesa. Ai që punon dhjetë muaj nga agu në muzg për një veturë të shtrenjtë me të cilën do t’ia mësyjë Kosovës. Ai që pi Red Bull. Ai që për t’ia treguar emrin ndonjë vajze e nxjerr letërnjoftimin nga kuleta ku renditen banknotat e gjelbërta. Ai që vishet më shtrenjtë se të gjithaorenditë e shtëpisë sonë. Për dikë prej nesh, është ai mërgimtari i padëshiruar, që ne e kemi halë në sy, por që i buzëqeshim para fytyrës, me shpresën që do t’na qerasë ndonjëherë.
Mërgimtari hipokrit
Është ai që vjen i pari për vizitë e ende pa u ulur mirë fillon të ankohet se si rrogat në Zvicër janë zvogluar tepër. Se sigurimi i fëmijëve po ia ha shpirtin dhe me zor po e kalon muajin. Është ai që fëmijëve të kushërinjëve të tij ua jep 5 EUR që t’i ndajnë bashkë. Shkurt muhabeti, ai të prek njëmend, ai të mallëngjen aq sa të shkon mendja të marrësh kredi, të lësh peng shtëpinë për t’i ndihmuar.
Dhëndri/Nusja “me letra”
Është ai që vjen dhe martohet me kë të dojë (nejse, të paktën kështu thonë gojët e liga). Të shtyrë nga ëndrrat për vendet Perëndimore, për kështjellat e përrallave dhe jetën e rehatshme, shumë të rinj kosovarë s’lënë vend pa kërkuar nusen a dhëndrin “me letra”. Pak rëndësi ka se çfarë libra i pëlqejnë a çfarë muzike dëgjon, pak rëndësi ka se çka mendon ai për ngrohjen globale apo kërcënimin global nga terrorizmi, ai mjafton të ketë “letra” (fundja, “dashuria kalon së pari nga stomaku”, më tha dje dikush në Pazar.)
Mërgimtari i panjohur
Është ai para të cilit shumë prej nesh duhet ta ulim kokën e të skuqemi. Është ai djalë e buzëqeshur që të del përpara me thjeshtësinë më të madhe dhe nëse nuk e pyet nuk e zë në gojë jetën e tij në shtetin tjetër. Ai që paratë e veturës i ka harxhuar në libra, në teatro e në muze. Është studenti i zellshëm, mjeku, avokati, gazetari a punëtori i palodhshëm. Ai që ia ka ndërruar mendimin e përgjithshëm për shqiptarit mikut të tij të huaj, me sjelljen e këndshme dhe seriozitetin e pashoq në punën e tij. Është ai qytetari i botës që ndjen dashuri për këtë vend të vogël që nuk ka ushqyer për të asgjë pos paragjykimeve dhe perbuzjes. Po, ky është mërgimtari i panjohur, ose më mirë ai që ne nuk duam ta njohim…
I dashuri im që vjen rrallë, kafeneve tona do të dëgjosh lloj-lloj fjalësh dalë nga gojët që përtypin me orë të tëra lugët e makiatos. E di, shpesh do të t’shkojë mendja mos të kthehesh më kurrë (më beso, edhe mua më shkon mendja të iki nga këtu disa herë në ditë). Por mbaje mend, mos e harro kurrë, në krejt këtë hallakamë shikimesh e përgojimesh, ka ndonjë vend të vogël, me njerës të mirë që i mirëpresin krejt qytetarët e botës, duke nisur prej teje…
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër? Përpos propozimeve kombëtare, në shumë kantone dhe qytete të Zvicrës mbahet votim gjatë ditës së sotme....
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?