E-Diaspora

Mërgimtarët nga Zvicra, sërish në shpëtim të Kërçovës

Tashmë është formuar edhe një grup punues, të cilin po e udhëheq doktori shqiptar në Zvicër, Gafur Sherbeti, njëherësh kryetar i Shoqatës Kulturore “Kërçova” në Zvicër

Diaspora kërçovare në Zvicër është mobilizuar sërish për të përkrahur Fatmir Deharin që të rizgjidhet edhe në mandatin e dytë kryetar i Kërçovës.

Janë bërë bashkë veprimtarë e familjarë, të cilët po përgatiten që sërish të udhëtojnë në mënyrë të organizuar në vendlindje për të mbajtur Kërçovën shqiptare.

Tashmë është formuar edhe një grup punues, të cilin po e udhëheq doktori shqiptar në Zvicër, Gafur Sherbeti, njëherësh kryetar i Shoqatës Kulturore “Kërçova” në Zvicër.

Sherbeti ka bërë të ditur për albinfo.ch se tashmë janë rreth 3 mijë kërçovarë që kanë konfirmuar se do të udhëtojnë për në Kërçovë për të votuar në zgjedhjet e 15 tetorit për kandidatin koncensual të të gjitha partive politike shqiptare, Fatmir Deharin, që të vazhdojë mandatin edhe katër vjetët e ardhshme në krye të Komunës së Kërçovës, e cila për herë të parë iu rikthye shqiptarëve pas 50 e më shumë vjetëve.

Sherbeti bëri të ditur po ashtu se janë organizuar fluturime për mërgimtarët kërçovarë me aeroplan në drejtimet Bazel- Ohër dhe Cyrih-Ohër.

«Aeroplani i parë me “Air Partner” niset të shtunën në orën 17 nga Bazeli për në Ohër dhe kthimi është paraparë të dielën në orën 17. Po ashtu është organizuar edhe një aeroplani tjetër që do të niset nga Cyrihu të shtunën me kompaninë “Helvetic”, tha Sherbeti.
Bileta nga Bazeli kushton 400 franga, por kërçovarët duhet të paguajnë vetëm gjysmën, ngase të tjerat i ka siguruar nga sponsorët shoqata “Kërçova” në Zvicër.

Nga Cyrihu bileta kushton 300 franga, ndërsa kërçovarët duhet të paguajnë vetëm 250 franga, derisa të tjerat janë siguruar nga shoqata.

Udhëtime do të ketë edhe me autobus me kompaninë “Solo Reisen”, e bileta do të kushtojë vetëm 70 franga kthyese.
Me gjithë mobilizimin, Sherbeti ka pranuar se mungon emocioni i para katër vjetëve, kur interesimi ka qenë shumë i madh për zgjedhjet komunale në Kërçovë.

«Te ne kërçovarët aktivizohet aeroplani në momentin e fundit», tha kryetari i Shoqatës Kulturore “Kërçova” në Zvicër.

Sherbeti tha se me gjithë zhgënjimin e disa prej bashkëqytetarëve, Fatmir Dehari ka filluar ndryshimin dhe duhet të vazhdojë me ndryshime.

Të interesuarit nga diaspora për të marrë pjesë në zgjedhje mund të paraqiten në këta numra: 079 317 73 09  (Gafur Sherbeti) dhe 0038971733875 ose +41788005063 (Ali Kadriu).
Gafur Sherbeti, kryetari i Shoqatës Kulturore “Kërçova” në Zvicër