Maqedonia

Mërgimtarët nga Maqedonia e Veriut kanë probleme me regjistrimin

Aplikacioni për regjistrimin e diasporës ka anomali dhe pengesa të shumta, prandaj mërgimtarët nuk mund të regjistrohen, tha Bujare Abazi nga Aleanca për shqiptarët. Sipas saj, kohëzgjatja e regjistrimit është një proces shumë i ndërlikuar dhe problemet sistematike ndikojnë në demotivimin e qytetarëve tanë për t’u regjistruar.

“Si problem paraqitet adresa elektronike, sepse aplikuesi duhet të presë nga 5 deri 10 orë për të marrë kodin e veçantë, por ndodh që edhe fare mos ta marrë. Kjo është arsyeja që shumë qytetarë tanë pas 3 ose 4 tentimeve heqin dorë nga regjistrimi. Gjithashtu, ka edhe raste kur përkatësia etnike dhe fetare përzihen”, tha Bujare Abazi nga Aleanca për Shqiptarët.

Duket se shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë shtetit kanë pasur një sërë ankesash, ata thonë se e kanë të pamundur regjistrimin e të dhënave, transmeton albinfo.ch.

“Unë tentova të regjistrohem, në faqen e parë ku kërkohet numri i amzës, emri dhe mbiemri, kjo është krejt në rregull deri kur ta dërgojnë kodin në e-mail. Kur e marrim kodin në e-mail, atëherë kemi probleme. Kur do të vazhdosh, aty ku klikon ruaj, procesi nuk vazhdon. Hapet ajo faqja e interneti, ku thotë nuk jeni të kyçur në internet. Ka probleme dhe shumë njerëz ankohen”, thotë Alisetar Ramadani nga Lidhja e diasporës shqiptare.

Ai thekson se ka interesim të madh nga ana e mërgimtarëve për t’u regjistruar, por nënvizon se ka munguar një informim paraprak nga ana e shtetit.

Selami: Problemet do të mënjanohen, nuk ka vend për shqetësim

Zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami, konfirmon se probleme ka pasur, por se ato janë evituar gjatë ditës. Sipas tij, shtetasit që jetojnë jashtë vendit nuk duhet të shqetësohen, meqë ata do të kenë edhe një mundësi të dytë në rast se nuk arrijnë të regjistrohen përmes sistemit online.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konsideron se regjistrimi do të jetë i suksesshëm, duke shtuar se numri i mërgimtarëve të regjistruar është mbi 30.000.

“Mendoj që të tëra ekipet janë në nivel të detyrës. Mendoj që kjo do të jetë një ndërmarrje mjaftë e suksesshme”, tha Ahmeti. /Albinfo.ch