albinfo.ch
Integrimi
“Mentor`is” josh të rinjtë nga Ballkani për profesionet teknike
Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës (AES) përmes programit “Mentor`is” synon të mbështesë të rinjtë me prejardhje nga Ballkani në orientimin e tyre drejt profesioneve teknike
Në Biel/Bienne të Kantonit të Bernës, të shtunën që shkoi, është mbajtur një takim informativ lidhur me programin socioprofesional integrues “Mentor`is”. Ky program është i mbështetur nga Sekretariati i Shtetit për Migracion (SEM), Qendra për integrim, e Kantonit Vaud dhe Qendra për Migracion e qytetit Biel/Bienne. Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës (AES) përmes këtij programi synon të mbështesë të rinjtë me prejardhje nga Ballkani lidhur me orientimin e tyre profesional.
“Projekti Mentor`is është iniciuar para rreth një viti e gjysmë nga Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë në Zvicër. Qëllimi ynë ka qenë që ta zhvillojmë një projekt për stimulimin dhe orientimin e të rinjve me origjinë shqiptare dhe ballkanike drejt shkencave ekzakte. Kjo ide ka lindur duke pasur parasysh vështirësitë që kanë këta të rinj në orientimin e tyre profesional, për shkak të gjuhës, mungesës së ndihmës nga prindërit, të cilëve u mungon njohuria për sistemin arsimor etj. Pra ne kemi dashur t`u krijojmë lehtësi. Qëllimi ynë ka qenë të komunikojmë direkt me fëmijët, me familjet, t`i njoftojmë ata se në të ardhmen të mund të vijnë për të realizuar praktikën në ndërmarrjet ku punojmë ne ose që i drejtojmë ne, si inxhinierë”, shprehet për albinfo.ching.Rexhep Gashi kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës. Lidhur me aktivitetin e mbajtur në Biel/Bienne, ai thotë se ishte vetëm një ditë informative që do të pasohet me aktivitete tjera më konkrete.
10 drejtime profesionale në dispozicion të të interesuarve
Më tutje Gashi shpalos ofertën që ka ky projekt për të rinjtë. “Kemi dhjetë orientime profesionale si ofertë për ta. Ne i lidhim kandidatët me kompanitë që formojnë teknikë, vizatues teknikë, montues orësh, dizajnerë, punëtorë në riciklim mbeturinash etj. Qëllimi ynë ka qenë që të rinjtë që kanë më pak mundësi, të vijnë të shohin se si mund të sigurojnë qasjen në profesionet e përmendura. Me fjalë tjera, ne shërbejmë si urë lidhëse mes kompanive ku ne punojmë, shkollave dhe qyteteve të Vaudit dhe të Biel Bienne. Autoritetet për integrim të këtyre qyteteve do t`i orientojnë të rinjtë që të vijnë te ne. Kështu, ata fillimisht do të vinë për tu orientuar dhe informuar rreth mundësive për kualifikim ose shkollim të mëtejshëm dhe pastaj, edhe të mbarojnë praktikën në kompanitë tona. Ky është projekt pilot që është realizuar në kantonin Vaud dhe në qytetin Biel/Bienne ndërsa synimet dhe mundësitë janë që ky të bëhet edhe projekt në nivel nacional. Zyra Federale për Migrim (SEM) e ka mbështetur projektin dhe me të kemi kontakte të vazhdueshme mbështetëse, thotë më tutje Gashi për albinfo.ch.
Ky është fillimi sa i përket qytetit Biel/Bienne. Siç biseduam edhe sot me përfaqësuesit e enteve për integrim të këtij qyteti, ata do t`i grumbullojnë nxënësit, do të na ftojnë në një takim të tipit coaching ku ne do të shpjegojmë para nxënësve me prejardhje ballkanike për profesionet teknike pastaj për mundësitë e mbajtjes së praktikës etj. Pjesa tjetër është kalimi në praktikë.
Pritet zgjerim i programit në gjithë Zvicrën
Më duhet të them se në takimin e mbajtur Lozanë kemi pasur më shumë sukses pasi që atje patën ardhur më shumë të rinj dhe familjarë për tu interesuar mbi ofertën tonë. Me atë rast ne i kemi informuar ata, kemi punuar bashkë CV-të e tyre, i kemi mësuar si bëhet aplikimi etj. Ky projekt është jofitimprurës, pra punohet vullnetarisht me vetëdijen që kemi për të ndihmuar të rinjtë me origjinë shqiptare dhe ballkanike për t`i orientuar ata drejt shkencave ekzakte”, përfundon Rexhep Gashi..
Visar Ramqaj, në projektin “Mentoris” kujdeset për aspektin e mirëmbajtjes dhe prezantimit në internet si inxhinier, profesionist i IT-së që është. Ramqaj po ashtu ka vënë në dispozicion të shoqatës edhe njohjen e dy gjuhëve, frëngjishtes dhe gjermanishtes, kompetencë kjo më se e nevojshme, sidomos në qytetet dygjuhësore çfarë është qyteti Biel/Bienne, ku u mbajt ky takim informativ.
Të rinjtë nga Ballkani, mbeten mbrapa në profesionet teknike
“Statistikat tregojnë se të rinjtë me prejardhje nga Ballkani nuk kanë arritur sa duhet, në krahasim me numrin të njerëzve me këtë prejardhje në Zvicër. Prandaj unë në prezantimin që kam bërë, kam treguar përmes grafikonëve, me shifra gjendjen në këtë fushë. Synimi ynë është që kjo rini të informohet dhe të përkrahet, informohet lidhur me mundësitë për gjetjen e vendeve për kualifikim profesional në profesionet teknike. Kjo u mundësohet edhe nga fakti se ne si shoqatë përbëhemi nga inxhinierë e arkitektë dhe kemi përvojë në këtë fushë, kemi kontakte etj. Po ashtu disa nga ne kanë edhe firmat ose ndërmarrjet, ku mund t`i angazhojnë këta nxënës në praktikë”, thotë veç tjerash Ramqaj.
Zenun Shala është pronar i një firme për instalim të ngrohjes qendrore në Lozanë. Ai, para pjesëmarrësve të takimit ka folur për përvojat e veta në ofrimin e vendeve për mësim të zanatit të rinjve me prejardhje nga Ballkani brenda firmës së tij. Vetë Zenuni, me prejardhje nga Gjakova, në Zvicër ka ardhur në vitin 2000 si nxënës. Nga perspektiva e sotme ai thotë se do të kishte qenë fat i madh për të sikur atëbotë të kishte një rrjet sikur ky në të cilin ai bën pjesë tash edhe vet, Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës.
“Jam në krye të një ekipi prej 15 punëtorëve që kanë prejardhje heterogjene, në mesin e tyre edhe shqiptarë. Unë marr vazhdimisht nxënës për mësimin e zanatit në firmën time. Këtë vit i kam tre. Deri tash kam vetëm përvoja të mira me ta”, thotë Shala përalbinfo.ch.
Tamara Elizabeta Iskra, përgjegjëse për integrim në qytetin Biel/Bienne dhe Isabelle Rosset punëtore sociale, e specializuar për përgatitje profesionale po në këtë qytet, kanë folur lidhur me gjendjen e të rinjve me prejardhje nga Ballkani, nga aspekti i integrimit dhe orientimit të tyre profesional. Ato kanë mirëpritur projektin “Mentoris” dhe kanë shprehur gatishmërinë për të vënë në dispozicion të tij strukturat që kanë.
Takimin e ka moderuar Ali Sulejmani, aktivist politik në qytetin Biel/Bienne ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Migjen Kajtazi, përgjegjës regjional për Integrim në Kantonin e Vaudit.
E-Diaspora
-
Pronari i agjencisë mbetet në paraburgim: Biznese me mafien e drogës Të akuzuarit kanë fituar rreth 3.4 milionë franga zvicerane nga shtatori 2020 deri në mars 2021...
-
Akuzohen 6 shqiptarë për pastrimin e 7 milionë frangave përmes agjencisë turistike
-
Simpozium me ligjerata mjekësore në Gjenevë dhe Cyrih!
-
Panikë në aeroplanin që udhëtonte nga Prishtina në Halmstad, turbulencat e mëdha shkaktuan probleme në frymëmarrje
-
24 orë në ditë në shërbim të pacientit: Spitex Mednest24
Jeta në Zvicër
-
Sekreti i shijes unike të djathit zviceran Në ndryshim nga djathi industrial, djathi zviceran ka një shije të veçantë. Pse është kështu? Studiuesit...
-
Pronari i agjencisë mbetet në paraburgim: Biznese me mafien e drogës
-
Numri i të prekurve nga gripi po rritet me shpejtësi në Zvicër, gjendja po përkeqësohet
-
Moti në Zvicër: Bëhet apel për kujdes në rrugë, akulli kërcënon në këto rajone
-
Gjërat që nuk u takojnë të huajve në Zvicër