Lajme

Mediet gjermane apelojnë për shërimin e Kushtrimit

Nuk ka hemoterapi me të cilën mund të trajtohet leukemia. Ndërhyrja e vetme që ndihmon është transplantimi i palcës së ashtit. Dhe, kjo kushton 200 mijë euro!

 

Historia e sëmundjes së tij është e gjatë dhe e dhimbshme, kushtrim Berisha 16 vjeç, i sëmurë nga leukemia, është detyruar të bëjë një rrugë të gjatë e të mundimshme, nga Kosova në Serbi, e tutje në Turqi, ku fillimisht iu premtua shërimi por në fund dështoi pasi që paratë e destinuara për të devijuan tjetërkah. Historia e Kushtimit që deri më tash ka shkruar nëpër tehun që ndan jetën nga vdekja pritet që tash së fundi të marrë një përfundim të mirë në spitalin e Ulmit, Gjermani.

Para 14 muajsh e ka sulmuar djaloshin atëbotë ende 15 vjeç sëmundja e rrallë dhe e rrezikshme e kancerit të gjakut. Nuk ka hemoterapi me të cilën mund të trajtohet kjo sëmundje. Ndërhyrja e vetme që ndihmon është transplantimi i palcës së ashtit. Dhe, kjo kushton 200 mijë euro, e nga ana tjetër, koha nuk pret!  Transplantimi (i suksesshëm) duhet të bëhet më së voni deri në fund të janarit, ndryshe Kushtrimi do të vdesë! Por, familja e tij është e varfër, dhe, sigurisht, nuk ka sigurim shëndetësor.

 

Nga ana tjetër në Kosovë nuk ka sigurime sociale ndërkohë që për qendra të tilla mjekësore që mund të trajtojnë një sëmundje të tillë as që bëhet fjalë. Tezja dhe daja i Kushtrimit, që jetojnë në Weingarten të Gjermanisë po e ndihmojnë atë me aq sa munden. Por me 5 fëmijët për të cilët duhet të kujdesen me të ardhurat nga një firmë e vogël pastrimi ata mund të bëjnë fare pak. Kështu, ata janë paraqitur në organizatën për ndihma fëmijëve me kancer dhe kanë rënë në kontakt me dr. Wolfram Buff.

 

Duke pasur edhe vetë një fëmijë të sëmurë nga kanceri, farmacisti kishte themeluar shumë kohë më parë  shoqatën për ndihmë fëmijëve me kancer, me të cilën kishte ndihmuar shumë fëmijë. Edhe për Kushtrimin, të cilin shoqata e dr. Buff e ka marrë për ta ndihmuar, ka siguruar deri më tash 32 mijë euro. Kaq para janë nevojitur për hemoterapitë e Kushtrimit të realizuara në Beograd dhe në Izmir.

 

Kaq para mendohej se do të mjaftonin për transplantimin e palcës së ashtit që do të bëhej në Izmir të Turqisë, që ishte si të thuash, punë e kryer. Por ndërkohë ndryshuan gjërat dhe 16 vjeçari u kthye në shtëpi, duke shkaktuar kështu një goditje të re, të rendë në familjen e tij.

Berishajt jetojnë në një fshat afër Prishtinës, 7 veta në një shtëpi, në kushte jo të mira. Pak tokë bujqësore dhe pensioni 60 euro i gjyshes mezi i sigurojnë mbijetesën familja.

Ndërkohë ora po ecën. Klinika Universitare e Ulmit është e gatshme të kryente operacionin e ndërlikuar të transplantimit nëse do të kishte në dispozicion 200 mijë euro. Dhuruesit e palcës do të gjendeshin, ndërsa i gjithë trajtimi (edhe pas operacionit) do të zgjaste gjashtë muaj.

 

Shpenzimet për qëndrimin në Gjermani të babait, i merr përsipër shoqata për përkujdesjen e fëmijëve me kancer në Ulm. Dr. Wolfram ka vënë gjithçka në lëvizje për të siguruar shumën e duhur. Është një garë me kohën. Historia e Kushtrimit mund të ketë një përfundim të mirë vetëm nëse grumbullohet kjo shumë,shkruan gazeta “Schwäbische Zeitung”.

 

Të gjithë ata që duan të ndihmojnë, mund të paraqiten në numrat e telefonit dhe adresën elektronike në vijim:
07351/32846, 01522/9582666, [email protected] ose unter www.aktion-naturkalender.de/kushtrim.