Kosova

Mediat franceze me reportazh nga veriu i Kosovës: Aty ku dështoi një Krime e dytë

Banjska është rikthyer sërish në letargjinë e saj. Vetëm vrimat e plumbave mbi disa dritare dhe portat e thyera të manastirit ortodoks të ngritur mbi këtë fshat modest në veri të Kosovës, ruajnë ende gjurmët e përplasjeve të dhunshme që shpërthyen më 24 shtator prej një komandoje serbësh të armatosur rëndë, e nis shkrimin gazeta prestigjoze franceze “Le Monde”,

Dy javë më vonë, më 9 tetor, pronari i dyqanit të vetëm ushqimor në këtë vend me disa qindra frymë të plakura e kujton gjithçka sikur të kishte ndodhur një ditë më parë.

“Gruaja ime erdhi të më zgjonte në mes të natës duke thënë se po qëllonin. Në fillim menduam se ishin kontrabandistë, por më vonë e kuptuam se ishte më keq. Kot të flas për burrëri, isha shumë, shumë i frikësuar”, thotë ai nga shkallët e dyqanit, duke refuzuar të japë emrin e tij.

Që pas sulmit, rreth 40.000 serbët që banojnë në veri të këtij vendi ballkanik, me shumicë shqiptare, ndodhen nën presion. Të gjithë kanë frikë nga një rikthim lufte, njëzet vjet pas asaj të vitit 1999, që çoi në pavarësinë e Kosovës.

“Ashtu si 95% e fshatit, unë nuk dyshoja për asgjë”, mbrohet dyqanxhiu, duke e përshkruar komandon si një “bandë kriminale”.

E mbiarmatosur, e veshur me uniforma pa shenja dhe e pajisur me mbi tridhjetë automjete, disa prej të cilave të shënjuara me logo të rreme të KFOR-it, komandot serbe do të dilnin në rrugët e fshatit në natën midis datave 23 dhe 24 shtatorit. Operacioni filloi në orën 2:34 të mëngjesit. Pikërisht në këtë orë, një patrullë policore e Kosovës, që shkoi aty për të inspektuar dy kamionë, të instaluar për të bllokuar urën e vogël, e cila gjendet në hyrjen e fshatit, u godit nga shpërthimi i një mine të komanduar në distancë.

Njëri nga tre policët, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos.

Njësiti i armatosur serb u përball për orë të tëra me forcat speciale kosovare të dërguara urgjentisht nga Prishtina, për t’u tërhequr pastaj brenda në Manastir, ku gjendej një grup pelegrinësh dhe për t’u larguar në fund përmes pyllit, që të çon drejt Serbisë. Bilanci i kësaj dite, më e dhunshmja e dekadës së fundit në Kosovë: tre terroristë të vrarë, tre të tjerë të arrestuar dhe dhjetëra në arrati.

Mes këtyre të fundit gjendej edhe lideri i tyre, i cili u identifikua shpejt, përmes imazheve të filmuara me dron: bëhej fjalë për Milan Radoiçiqin, një udhëheqës i fuqishëm politik lokal serb, i njohur prej kohësh për lidhjet me krimin e organizuar.

Pesë ditë më vonë, personi në fjalë e pranoi pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e dhunshme dhe njoftoi, përmes avokatit të tij në Beograd, se e ndërmori këtë aksion “personalisht” dhe “pa informuar Qeverinë serbe”.

Në deklaratën e tij, ai pohoi se e drejtoi atë komando për të “inkurajuar popullin serb të këtij rajoni, për t’i rezistuar terrorit të regjimit çkosovar” dhe që të “krijojnë kushtet e nevojshme për realizimin e ëndrrës së lirisë”, të pakicës prej 100 mijë serbësh në Kosovë.

Këta të fundit refuzojnë ta njohin pavarësinë e këtij territori që e konsiderojnë si djepin e kombit të tyre. Prej pesëmbëdhjetë vjetësh ata kanë ëndërruar të kthehen në gjirin e Beogradit.

Por, ky version i ngjarjeve është vënë në dyshim serioz nga shumë elementë shqetësues që kanë nxjerrë në dritë gjetjet e hetuesve kosovarë.

“Nuk ishte një grup qytetarësh të pakënaqur, të cilët organizuan një sulm, ishte qartësisht një ofensivë paraushtarake nga Serbia. Një grup ‘burrash të vegjël të veshur me të gjelbër’ që synonin një aneksim sipas stilit të Krimesë”, ka thënë për “Le Monde” presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke bërë një paralele me operacionin rus të kryer nga ushtarë pa shenja dalluese në gadishullin ukrainas, në vitin 2014.