Kosova
U kërkua më shumë se vetëm ndezje qirinjsh për viktimat e gjenocidit në Kosovë
"Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë" ishte motoja e homazhit të mbajtur në Birr (AG) në të cilin morën pjesë një numër i madh bashkatdhetarësh
Në kuadrin e shënimit të 15 janarit, ditës së masakrës së Reçakut, që nga institucionet kosovare është shpallur si ditë e kujtimit të gjenocidit serb mbi shqiptarët, Qendra “Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur” ka organizuar në orët e pasdites së sotme një homazh kushtuar kësaj dite, shkruan albinfo.ch.
“Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë” ishte motoja e homazhit të mbajtur në Birr (Aargau) në të cilin morën pjesë një numër i madh bashkatdhetarësh nga e gjithë Zvicra.
Ndezja e qirinjve si veprim simbolik u bë nga të gjithë të pranishmit, në tavolinat e tyre.
Tubimi u hap me një deklamim të përjetuar të teksteve nga libri “Dritë mbi plagë”, botim i qendrës, me motive nga vuajtjet e luftës së fundit, nga moderatorët, aktorët Fatime Kalimashi dhe Ramadan Morina. Ata janë inkuadruar gjatë gjithë programit, me shkëputje poezish me temë gjenocidin dhe qëndresën.
Fjalën e hyrjes rreth organizimit e mbajti diplomati dhe veprimtari i njohur Ramadan Avdiu, në cilësinë e anëtarit të Qendrës “Gjenocidi…”. Z. Avdiu foli për kontekstin aktual dhe historik të përkufizimit të konceptit të gjenocidit në të drejtën ndërkombëtare gjegjësisht për jetësimin e këtij koncepti në rrafshin e luftës në Kosovë.
Ai me këtë rast kujtoi se veprimet gjenocidale të Serbisë nuk janë as të reja as të panjohura. Ato datojnë që nga viti 1876, si shpëfaqje e politikës ekspansioniste serbe mbi shqiptarët. Si pasojë, Serbia, në të gjitha trajtat e saj shtetërore e parashtetërore ka ushtruar gjenocid mbi shqiptarët. E keqja e gjithë kësaj është që ky gjenocid dhe përpjekje për shfarosje të shqiptarëve nuk njihet dhe nuk është legalizuar ende në dokumentet ndërkombëtare, citon albinfo.ch z. Avdiu.
Në analogji me këtë, Ramadan Avdiu ka përmendur në fjalën e tij gjenocidin mbi popullatën armene në fillim të shekullit të kaluar, i cili, për ndryshim nga rasti i Kosovës, është ndërkombëtarisht i njohur.
Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e tij Ilir Gjoni në fjalën e tij është fokusuar në bërjen të njohur të faktit se Serbia ka ushtruar gjenocid mbi shqiptarët, në Kosovë e gjetiu. Ai ka theksuar se, ndryshe nga Serbia, shqiptarët në asnjë periudhë historike nuk kanë ushtruar politikë ekspansioniste e të dhunshme ndaj fqinjve të tyre dhe kjo duhet të bëhet e ditur. Më tutje, z. Gjoni ka thënë se të gjitha njohuritë mbi pësimet e shqiptarëve duhet t`ua përcjellim brezave të rinj gjegjësisht fëmijëve dhe të rinjve në diasporë, të cilët nuk kanë jetuar në kohën kur është ushtruar politika serbe e dhunës mbi shqiptarët.
Udhëheqësi i Shërbimit Konsullor të Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, në emrin e tij dhe të ambasadorit kosovar në Bernë, Sami Ukelli ka përgëzuar “Qendrën…” për homazhin e organizuar mirë. Ai ka sjellë në vëmendjen e të pranishmëve përpjekjet e shtetit të Kosovës për legjitimimin e nocionit “Gjenocid” në përkim me krimet serbe të kryera mbi shqiptarët në luftën e fundit, shkruan albinfo.ch. Sipas tij, këto përpjekje, si në rastin e Bosnjës ashtu dhe në atë të Kosovës, janë penguar, veç tjerash edhe nga zhdukja e dokumenteve përkatëse, që ka ndodhur edhe duke qenë nën “kujdesin” e institucioneve të krijuara nga OKB.
Poeti dhe veprimtari Isuf Sherifi ka lexuar një poezi të tij kushtuar viktimave shqiptare tüe krimeve serbe në luftën e fundit të Kosovës.
Anëtari i kryesisë së Qendrës “Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur”, Agush Buja u është drejtuar të pranishmëve për më shumë përpjekje në drejtim të sensibilizimit me termin “Gjenocid” në raport me luftën e fundit në Kosovë, gjegjësisht me dhunën serbe mbi shqiptarët. Ai ka thënë se “ne të gjithë jemi vonuar, duke na përfshirë dhe ne, themeluesit e `Qendrës…`, në dokumentimin e veprimeve gjenocidale që ka ushtruar Serbia mbi shqiptarët, raporton albinfo.ch
Buja me këtë rast ka kritikuar institucionet, sidomos ato të Kosovës për një neglizhencë sa i përket veprimeve që duhen bërë në lidhje me dënimin e gjenocidit. Kjo sipas tij shpërfaqet edhe në një “reagim të përgjumshëm” të tyre sa i takon pranimit të simbolit të lulekuqes me katër petale si simbol të kujtimit të këtij gjenocidi.
“GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR”
Më 30 qershor 2019, në Bernë të Zvicrës është themeluar Qendra “GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR”. Qendra ka për qëllim të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe të këmbëngul në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë. Qendra ka logon e vet domethënëse në formë të lulëkuqes me katër petale, të cilat paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
-
Maltina Jashari, garuesja e parë shqiptare në Formula
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?