Integrimi

Më shumë azilkërkues shqiptarë se nga Iraku e Afganistani

Pjesën dërmuese të ballkanasve e përbëjnë shqiptarët – nga Shqipëria dhe nga Kosova. Marë së bashku ata i afrohen shifrës prej 100.000

Ndonëse ende mungon një statistikë zyrtare për muajin tetor, autoritetet përgjegjëse në Gjermani konsiderojnë se deri në fund të vitit në këtë vend do të ketë së paku 800 mijë azilkërkues. Ndërsa të dhënat e konfirmuara statistikore tregojnë se deri në fund të shtatorit, azil kanë kërkuar 577.000 njerëz, shkruan tagesspiegel.de.

Vetëm gjatë shtatorit këtë e kanë bërë së paku 164.000 veta ndërsa për tetor mendohet se kjo shifër do të jetë rreth 200 mijë, që nënkupton një tejkalim të shpejtë të prognozae për 800 mijë azilkërkues deri në fund të vitit.

Numri më i madh i azilkërkuesve vazhdon të jetë ai nga Siria, rreth 200 mijë veta që kanë ikur drejtpërdrejt nga lufta, transmeton albinfo.ch. Kështu ata përbëjnë rreth një të tretën e numrit të gjithëmbarshëm të azilkërkuesve të regjistruar deri tash në Gjermani. Gjatë shtatorit ndërkaq ata kanë përbërë tashmë 50% e kësaj tërësie. Kjo shpjegohet nga njëra anë me shtimin e numrit të sirianëve të ardhur gjatë atij muaji dhe nga ana tjetër me uljen e ndjeshme të numrit të ballkanasve që kanë kërkuar azil në këtë periudhë.

Dhe, kur jemi te ballkanasit, aty pjesën dërmuese e përbëjnë shqiptarët – nga Shqipëria dhe nga Kosova. Kështu, në numrin e gjithmbarshëm të kërkuesve të azilit (deri në shtator) kanë qenë 66.000 shtetas të Shqipërisë dhe 32.000 shtetas kosovarë, afër 100 mijë, marrë së bashku. Vetëm shtetasit e Shqipërisë janë kështu në vendin e dytë, menjëherë pas sirianëve por para afganëve (51.600) dhe irakianëve (47.000). Kosovarët, me 32.000 kërkesa azili janë të pestët në listë.