Kosova

Me protestë kërkohet drejtësi për Donjeta Pajazitin

Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbajtur një protestë paqësore para Gjykatës së Apelit në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi për Donjeta Pajazitin.

Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, e ka shpallur Naser Pajazitin të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitit në vitin 2015.

Donjeta Pajaziti ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave tha se do ta mbështesin familjen e Donjetës, ndërsa me protesta do t’iu bëjnë presion institucioneve të drejtësisë, të cilat e kanë neglizhuar këtë rast, shkruan Albinfo.ch.

Sipas aktakuzës, Naser Pajaziti i kishte ofruar vozitje me veturë Donjeta Pajazitit, derisa ajo po shkonte në punë. Më pas, në rrugë e sipër, i akuzuari e kishte ndalur veturën dhe e kishte dërguar të ndjerën në bjeshkë, ku edhe besohej se e kishte vrarë.

Naser Pajaziti është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim vetëm për armëmbajtje pa leje.