Shkurt.ch

„Më parë vdes se të shkoj në burg“

Shkumbini duket i dobësuar ndjeshëm dhe, siç thotë ai, gjatë 2 javëve sa është në grevë urie, ka humbur 10 kilogramë

Shkumbin F., burri 32 vjeçar i lindur në Kosovë dhe me shtetësi austriake prej tri javësh ndodhet në grevë urie, shkruan gazeta austriake “Krone”. 

Një gjykatë e ka dënuar atë me 5 muaj burg, ndërsa ai është i bindur se është i pafajshëm prandaj refuzon kategorikisht të mbajë dënimin.

Kur e kanë vizituar gazetarët, Shkumbini është dukur i dobësuar ndjeshëm dhe, siç ka thënë ai, ka humbur tashmë 10 kilogramë. Mjekët do ta konstatojnë së shpejti gjendjen e tij shëndetësore.

Por, ai nuk ka ndërmend të dorëzohet: “më mirë vdes se sa të mbaj burgun”, shprehet Shkumbini, sipas të cilit mbrapa gjithë kësaj meseleje fshihet gruaja e tij. Ajo e ka denoncuar atë për gjoja vjedhjen e veglave me vlerë prej 22000 eurosh dhe për kërcënim ndaj saj.

Ndërkaq kosovari me shtetësi austriake ngul këmbë për pafajësinë e tij dhe duket i vendosur të shkojë deri në fund.  Ai shpreson se për të shmangur burgun do të ketë përkrahjen e një organizate për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Por, shpresa e tij mund të marrë fund më 4 mars. Kjo është dita kur ai do të duhej të fillonte mbajtje e burgut!