Kosova
Më në fund pa viza ose fundi i vonuar i një padrejtësie
Personalitete nga komuniteti shqiptar i Zvicrës shprehen lidhur me ndryshimet e pritshme në këtë situatë të re për Kosovën dhe për diasporën
Tema qendrore e numrit aktual të magazinës Albinfo.ch është “heqja e vizave”, për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së dhe të Zonës Shengen. Në këtë kontekst, redaksia jonë ka kërkuar opinionin nga një numër personalitetesh të njohura dhe aktive në komunitetin shqiptar të Zvicrës.
Siç është konstatuar tashmë, detyrimi për pajisje me vizë, që për një kohë tepër të gjatë ka mbajtur qytetarët e Kosovës të izoluar nga bota, më në fund u hoq. Të gjithë pajtohemi se ky ka qenë një detyrim që, duke qenë selektiv, i drejtuar ndaj shtetasve të një shteti të ri, ishte në vetvete i padrejtë dhe diskriminues.
Bashkëbiseduesit tanë janë pyetur për qëndrimin e tyre në lidhje me heqjen e kësaj padrejtësie, si është pritur kjo nga ata dhe rrethi i tyre. Çfarë ndryshon kjo situatë e re për komunitetin “pritës” (në diasporë) dhe për atë “ardhës” që fiton shansin për të parë botën pa kufizime, gjegjësisht për shtetasit e Kosovës, rezidentë në Kosovë etj.
Qëndresa Sadriu, politikane: Në rrethin tim familjar dhe miqësor, qofshin ata me origjinë shqiptare apo jo, e diskutonim shumë shpesh dhe intensivisht këtë temë. Kemi shkëmbyer ide, veçanërisht për aspektin se si duhet të jetë të rritesh në një kafaz. Këtu u pasqyruan padrejtësitë dhe diskriminimi konstant që duhet të durojnë shqiptarët. Si mund të rritet një shoqëri dhe të thyejë zakonet dhe traditat nëse njeh vetëm ata që te rrethojnë dhe nuk ke mundësinë, për më tepër drejtën të njohësh të tjerët? Si mund të jetë një popull i lirë nëse ligji i thotë se liria e tij nuk është e barabartë me atë të njerëzve të tjerë në Evropë? Në ndërdijen e njeriut, padrejtësi të tilla e influencojnë shumë vetëbesimin e njerëzve. Liberalizimi i vizave ishte shumë i vonuar dhe i nevojshëm urgjentisht. Të qenët i lirë, të udhëtosh, të përjetosh realitete të ndryshme socio-kulturore, do t’u sjellë kosovarëve një nxitje ekstreme në fusha të ndryshme, por veçanërisht për vetimazhin e tyre. Nuk mund të flitet për liri nëse, për disa njerëz liria do të thotë vetëm deri te pragu i derës dhe jo më tej.
Orhan spahiu, jurist dhe kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës: Më në fund! Vendimi për liberalizimin e vizave rezulton nga një vonesë e stërzgjatur dhe e padrejtë, pasi në rajon vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës kishin mbetur të izoluar. Tani shtetasit e Kosovës do të kenë mundësi të shëtisin lirshëm në vende të ndryshme në Zonën Shengen, t’i vizitojnë familjarët dhe miqtë e tyre dhe të shohin se ku dhe si jetojnë. Me liberalizimin e vizave hiqen pritjet e gjata para ambasadave të vendeve të Zonës Shengen në Prishtinë dhe lehtësohet vizita në këto vende, pasi nuk do të ketë më nevojë për dërgim ftesash e plotësim të formularëve nga nikoqirët e nikoqiret që presin vizitorë. Natyrisht që personat që dëshirojnë të udhëtojnë në vendet e Zonës Shengen duhet t’i plotësojnë disa kushtet tjera, të cilat janë të definuara. Por, në krahasim me aplikimet për viza, të cilat kanë qenë të mundimshme, të kushtueshme dhe të cilat jo edhe rrallëherë kanë rezultuar me refuzim, këto kushte janë shumë më të lehta. Ky lehtësim është një mundësi e mirë edhe për vizita të shkurta, p.sh. në seminare e konferenca afatshkurta etj. Në fund vlen të theksohet që udhëtimi pa viza nuk iu mundëson të punoni në Zonën Shengen. Në rast se udhëtoni për qëllim të punësimit, atëherë duhet të aplikoni për një vizë pune (kriteret përcaktohen nga shteti në të cilin dëshironi të bëni kërkesë për vizë pune). Në rast të shkeljeve eventuale (punësim pa leje pune) pasojat përfshijnë edhe ndalimin e hyrjes në Zonën Shengen për një kohë të caktuar.
Dr. Fatime Ymeri, mjeke: Jam shumë e lumtur që pamjeve me rreshta të gjatë të qytetarëve, duke pritur para ambasadave të huaja, u erdhi fundi.
Me heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Kosovës hapen shumë perspektiva dhe horizonte te reja në çdo aspekt të jetës. Edhe pushimet dhe vizitat te miqtë dhe familjaret e tyre, ata do të mund t`i planifikojnë pa pritje për vizë, me muaj të tërë.
Të afërmit tanë mund të na vizitojnë spontanisht e në çdo kohë dhe kjo më bën të ndihem edhe më afër vendlindjes time.
Adnan Asllani, artist grafik: Tashmë më në fund edhe qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Sigurisht që kjo gjë ka gëzuar qytetarët e Kosovës në radhë të parë, të cilët padrejtësisht ishin të izoluar nga Bashkimi Europian, duke i vendosur Kosovës kushte të cilat vendet e tjera të Ballkanit nuk i kishin.
Sido që të jetë, tashmë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka ndodhur dhe nga 1 janari i këtij viti ata mund të vizitojnë vendet e zonës Shengen” pa pengesa. Kjo do të ndihmojë në radhë të parë që familjarët që dëshirojnë të vizitojnë të afërmit e tyre, mund ta bëjnë këtë gjë pa ndonjë pengesë burokratike duke pritur si më parë në sportelet e ambasadave në Prishtinë.
Mirëpo përfitimi më i madh do të jetë nga komuniteti i biznesit e kulturës. Tashmë janë hapur dyert, përmes të cilave lehtësohet këmbimi i ideve e lidhja e marrëveshjeve të ndryshme, hapja e ekspozitave për artistët, promovimi i librave nga shkrimtarët si dhe bashkëpunimi në projekte të ndryshme kulturore pa ndonjë pengesë.
Jam i bindur se kjo do të ndihmojë shumë ekonominë kosovare, e sidomos promovimin e kulturës dhe artit kosovar në Europë e më tej.
Nuk e ndaj mendjen me ata skeptikët që mendojnë se kjo do të mundësojë zbrazjen e Kosovës nga të rinjtë. Përkundrazi, kjo do t’i mundësojë të rinjve që të këmbejnë përvojat e të inspirohen me ide të cilat do t’i zhvillojnë shumë më lehtë në Kosovën e tyre. Ky është edhe një shans jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për emigracionin shqiptar, i cili mund të përfitojë shumë nga kjo hapje e dyerve.
Përparim Avdili, politikan: Pa dyshim që regjimi i vizave ndaj shtetasve te Kosovës ishte një padrejtësi e madhe që tashmë u korrigjua, edhe pse me vonesë të paarsyeshme. Lëvizja e lirë e njerëzve përtej kufijve është pjesë themelore e vlerave europiane, të cilat iu mohuan këtij populli numërpak, gjë që mund të shkaktojë edhe telashe. Shqiptarët përbëjnë pjesë të trungut të këtij kontinenti dhe orientimi perëndimor me lëvizje të lirë do të qartësohet.
Pastaj, tash dhe njerëzit do të kenë mundësi të vizitojnë familjarët e tyre në Diasporë, një numër i madh i tyre në Zvicër dhe bashkimet familjare janë gjithmonë të bukura. Mos të harrojmë dhe që njerëzimi vazhdimisht ka përparuar dukë ecur dhe duke parë gjëra tjera, pra duke u inspiruar nga vende të ndryshme. Një gjë shumë e rëndësishme do të jetë dhe zhvillimi ekonomik. Mos të harrojmë që shume kompani zvicerane, dhe jo vetëm me pronarë shqiptarë, kanë hapur degë te ndryshme në Kosovë. Duke mundësuar lëvizjen pa burokraci edhe zhvillimi i atyre bizneseve do të forcohet. Përkundër frikës që Zvicra do të ketë migrim nga Kosova për shkak të heqjes së vizave unë jam i bindur që një gjë e tillë nuk do ndodhë, nga që nuk do të ketë mundësi ligjore. Por edhe nëse ndodh, atëherë me nevojën ekonomike të vetë Zvicrës.
Shkumbin Gashi, psikolog dhe shkrimtar: Ne, shqiptarët, e kemi një lidhje interesante me durimin. Andaj kemi kaq shumë emra djemsh me emrin Durim. Kemi duruar gjithmonë, gjithkund e gjithkënd. Zaten, andaj kemi edhe fjalët “zoti vonon por nuk harron” ose “më mirë vonë se kurrë”. Gjyshja ime, ndjesë i pastë shpirt, kështu do t`i ishte gëzuar lajmit të vizave, sipas kujtimit që kam unë për të. Me siguri do të thoshte “vonuan fort me këto viza, por më mirë vonë se kurrë”. Por, unë sikur nuk mjaftohem me këtë ngushëllimin e gjyshes. Kam një pezëm në gjoks se pse e si zgjati kaq shumë, që edhe ne si popull me e gëzu një prej të drejtave bazike të njeriut, atë të lëvizjes së lirë. Përkundër të gjithave, i gëzohem faktit se gjeneratat e reja kanë me pasë mundësi me i ndjekë ëndrrat, me u shkollu, me i shkëmby përvojat me të tjerët, se kjo e ka cungu Kosovën gjithmonë. Një popull që informatat për Europën i ka vetëm nga mediat e sidomos rrjetet sociale, ka shumë gjasa që ato informata t`i ketë gabim, t`i hiperbolizojë, ose t`i demonizojë, varësisht nga ideologjia që ka. Për ne që jemi në mërgim, liberalizimi i vizave do të thotë shumë. Ndoshta jo aq shumë sa për ata në Kosovë, por prapë shumë është. Na krijon ura të reja bashkëpunimi profesional, prej të cilave përfitojmë ne, por që është edhe më me rëndësi, na krijon mundësi me i sjellë diçka të mirë vendit tonë përmes shkëmbimit të përvojave, e kjo, besoj unë është ëndërr e secilit mërgimtar. Kush si biznesmen, kush si shkencëtar, secili me kapelën e vet, ka një derë më të madhe në Kosovë tash e mbrapa.
Nazmi Jakurti, Jurist, mediator, kryetar i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë: Sa herë që flitet për liberalizimin e vizave, më kujtohet një anekdotë. Dy shokë hyjnë në dyqanin e këpucëve. Ai që donte të blinte këpucë, i merr një palë që ishin për një numër më të vogla se këmba dhe me shumë vështirësi e fut këmbën në të. Shoku i tij e pyet, përse ai çdoherë blen këpucë më të vogla se që i duhen? Ah, po ta dije ti se çfarë kënaqësie të papërshkrueshme ndiej kur i zbath ato, do të më kuptoje, i përgjigjet ai! Ndërkombëtarët na e kanë ngushtuar aq shumë dhe aq gjatë „lakun“ me vizat, sa që liberalizimin e tyre (në fakt korrigjimin e një padrejtësie të madhe) e përjetojmë si dhuratë, si festë, sikur kur zbathim ato këpucët e ngushta!)
Ramadan Morina, aktor: Mendoj që e tërë kjo “lojë” dhe stërzgjatje nga ana e vendimmarrësve të BE-së ishte një diskriminim i pastër ndaj qytetarëve te Kosovës, pa dashur të shfajësoj edhe pushtetmbajtësit tanë që nga paslufta! Personalisht do të dëshiroja që në ditën e parë të këtij viti kur dhe hyri në fuqi liberalizimi i vizave, të kishte një protestë simbolike pranë zyrës së BE-së në Prishtinë ku do të vihej ne pah frustrimi ndaj kësaj padrejtësie. Gjithsesi kjo gjë sado e vonuar, hap horizonte të reja për shumë qytetarë të Kosovës por sjell edhe një lehtësim për ne për t`i ruajtur sa më afër kontaktet me njerëzit tanë.
Mendoj se kjo mundësi (heqja e detyrimit për viza) duhet të shfrytëzohet gjithanshmërisht, si në aspektin familjar pastaj atë ekonomik por edhe kulturor, që të forcojmë lidhjet tona akoma më tepër me vendin e rrënjëve tona! Uroj që rinia ta shfrytëzojë këtë mundësi, jo vetëm për turizëm por edhe për studime e specializime në fusha të ndryshme.
Ruzhdi Ibrahimi, sindikalist: E drejta e lëvizjes së lirë të shtetasve të Kosovës është për mua vendim i BE-së, i mirëpritur nga të gjithë dhe mund të sjellë shanse dhe mundësi për krijimin e raporteve të shëndetshme në relacionin Kosovë-Diasporë! Shtetasit nga Kosova, të cilët vijnë për vizitë te familjarët apo miqtë e tyre, do të kenë mundësinë të njihen më mirë me realitetin, në të cilin jeton diaspora dhe nga ky realitet pa dyshim se do të krijohen përvoja të vlefshme individuale dhe ndoshta kështu mund të krijojnë një opinion më real për diasporën. Ata të cilët kanë interes turistik, kulturor dhe sportiv dhe kanë mundësi ekonomike mendoj se do të gjejnë veten dhe do të kënaqen me thesarin e pasur të natyrës, ngjarjeve kulturore e sportive në tërë hapësirën e BE-së. Problematike, sipas mendimit tim, mund të jetë projeksioni i trajtimit të lirisë së lëvizjes si një mundësi për punësim në shtetet e BE-së! Përvojat e krijuara nga shtetet e tjera, fqinje të Kosovës, të cilat kanë pasur më heret se Kosova lirinë e lëvizjes mund të shërbejë për të mirë për ata të cilët ia mësyjnë tregut të punës në BE-së! Dobia e lëvizjes së lirë dhe eventualisht pasojat negative do të shihet pa dyshim pas një kohe më të gjatë!
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve