Gjuha
Me libra, kundër harresës së viktimave të luftës
Viktimat shqiptare të luftës së viteve 1998-1999 janë temë e shumë punimeve e studimeve të autorëve shqiptarë dhe të jashtëm
Ato janë trajtuar kryesisht në mënyrë fragmentare dhe duke kapur aspekte të ndryshme të dhunës së ushtruar.
Ndërsa Prof .Dr. Jusuf Osmani ka realizuar veprat më të plota deri më tash, të bazuara fundekrye në fakte për viktimat e kësaj lufte. Bëhet fjalë për të dhënat e mbledhura në librat: Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999″, dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”.
Pas promovimit të bërë më herët në Kosovë, prof. Osmani, me organizimin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, ka promovuar dy librat në fjalë edhe në Cyrih. Këtu ai ka gjetur edhe ambientin e përshtatshëm, gjegjësisht lokalet e bibliotekës “Pestalozi” në Hardau të Cyrihut, që udhëhiqet nga shqiptarja Suela Jorgaqi.
Një kontribut të madh në mbledhjen e fakteve lidhur me krimet serbe që pasqyrohen në librat e promovuar ka dhënë edhe veprimtarja dhe humanistja Behide Hasanaj, e pranishme në këtë promovim. Autori prof.dr. Osmani i drejtoi asaj një falënderim të veçantë. Zj. Hasanaj, siç u tha me këtë rast, është aktive prej rreth 30 vitesh në aktivitete humanitare në përgjithësi dhe sa i përket Kosovës, në veçanti.
Të pranishmëve, në mesin e të cilëve ishte edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, dr. Salih Sefa, iu drejtua me një fjalë mirëseardhjeje, drejtuesja e bibliotekës, znj. Jorgaqi. Ajo përgëzoi autorin për veprën dhe shprehu gatishmërinë që ambientet e bibliotekës të vihen në dispozicion të organizimeve të tilla që kanë të bëjnë e librin dhe me kulturën.
Ndërsa në emrin e SHKLZ, një fjalë rasti mbi librat e ka lexuar krijuesi Muharrem Blakaj. “Mbledhja dhe trajtimi e materieve arkivore është bërë në të gjitha fshatrat e qytetet në shkallë Kosove, duke dokumentuar rreth të vrarëve, të zhdukurve, dhunimeve, dëbimeve dhe shkatërrimit të pasurisë, ka thënë Blakaj në fjalën e tij rreth librit. Ai gjithashtu ka vlerësuar se “autori me mjeshtri arrin t’ju shmanget komenteve, shpjegimeve individuale dhe trajtimit të fakteve në gjuhën e urrejtjes. Kjo, edhe pse vrasja e 1392 fëmijëve të pafajshëm është humbje e madhe e me pasoja të pashërueshme…”
Ndërsa konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Salih Sefa ka përshëndetur nismën e SHKLZ-së për të sjellë këtë promovim edhe në mesin e bashkatdhetarëve në Zvicër. Ai ka folur për rëndësinë që ka faktografia e publikuar në formë libri – sidomos kur ai përkthehet në gjuhë të huaja – për bërjen të njohur të të vërtetës për krimet e ushtruara mbi popullin tone gjatë luftës. Konsulli ka përshëndetur edhe udhëheqësen e bibliotekës, Suela Jorgaqin, për gatishmërinë e treguar në këtë rast dhe rastet tjera që kanë të bëjnë me librat në gjuhen shqipe.
Më tutje autori, Jusuf Osmani, i ka bërë një prezantim më të thelluar lëndës që trajtohet në dy librat e tij. Ai ka vënë theksin edhe në vështirësitë e natyrave të ndryshme, dhe kryesisht financiare, që i janë paraqitur atij gjatë realizimit të veprave, përkthimit të tyre në gjuhën angleze dhe gjatë shpërndarjes së tyre.
Dr. Osmani në këtë kontekst ka shprehur brengosjen e tij si arkivist për mungesën e shprehisë së popullit tonë për të lënë mbrapa dokumente te shkruara. Një mungesë e tillë na hakmerret, ka thënë ai. Në këtë drejtim ai ka përmendur raste të takimeve me ekspertë të huaj, të cilët vetëm pasi e kanë lexuar librin e tij kanë kuptuar përmasat e dhunës së ushtruar mbi shqiptarët gjatë viteve 1998-1999.
“Kam udhëtuar nga fshati në fshat, nga një vend i masakrës në vendin tjetër, kam biseduar me familjarët dhe dëshmitarët. Në këtë mënyrë, me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve të arkivave komunalë të Kosovës, kam arritur të regjistroj 11.840 viktima shqiptare, të vrarë ose të zhdukur deri më 12 qershor, kur përfundon lufta. Prej tyre 1379 janë femra dhe 1392 fëmijë gjegjësisht 293 në moshën deri 5 vjeçare. Nga të gjitha viktimat e luftës 11% janë fëmijë. Dhe, një përqindje e tillë nuk ka ndodhur në asnjë luftë tjetër”, ka thënë Osmani, duke nënvizuar se “për të gjitha i kemi shënimet e plota dhe të sakta”.
“Gjatë luftës, sipas shënimeve të mia, në Kosovë janë dhunuar 20.400 femra”, ka shpalosur më tej dr. Osmani fakte nga librat e tij.
Autori i librave të promovuar është lëshuar në një bashkëbisedim me të pranishmit në lidhje me librat e provuar dhe gjendjen në sferën e botimeve të librave të këtij lloji në Kosovë.
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha Zvicra mbetet, deri tani, kampionia evropiane e udhëtimit me tren. Si për nga numri i udhëtimeve...
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë