Lajme

Me 33 pako drogë në Greqi, shkarkohet doganieri shqiptar

Këtë të premte policia kufitare prangosi një 36-vjeçar, i cili në brendësi të makinës së tij kishte 33 pako lëndë narkotike.

36-vjeçari po udhëtonte drejt Greqisë, por u ndalua në pikën kufitare të Qafë Botës. Këtë mbrëmje drejtori i përgjithshëm i doganave ka njoftuar se ka shkarkuar nga detyra Arten Ibrahimin, 36-vjeçarin e kapur me drogë në makinën e tij. I riu punonte si doganier në pikën kufitare të Tre Urave në Sarandë

NJOFTIMI I DOGANAVE:

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gjon Bardhi, ka reaguar duke i zgjidhur menjëherë marrëdhëniet e punës shtetasit Arten Ibrahimi, me detyrë doganier peshore/Pikë Kontrolli, Zyra e Operacioneve Doganore, Dega Doganore Tre Urat.

Zgjidhja e marrëdhënieve të punës me shtetasin në fjalë u bë pas ndalimit nga Policia të tij në Pikën Kufitare të Qafë Botës, ku në mjetin që ai drejtonte u gjet lëndë narkotike.

Për vetë përgjegjësitë veçanta që ka Dogana Shqiptare konsiderohet shkelje shumë e rëndë kur nga vetë punonjësit e ADSH shkelen ligjet që rregullojnë punën e Doganave Shqiptare, ose që kanë lidhje me të dhe për të cilat janë ngarkuar t’i zbatojnë.

Në këto kushte, posedimi i lëndëve narkotike përbën shkelje shumë të rëndë të disiplinës në punë, duke ulur imazhin dhe integritetin e ADSH-së,duke cenuar misionin e Doganës në arritjen e standardeve më të larta të etikës në fitimin e besimit të publikut.