Lajme

Më 23 janar përsëriten zgjedhjet në krejt Mitrovicën

Më 23 janar, votimet për zgjedhjet parlamentare do të përsëriten në tërë komunën e Mitrovicës, njoftoi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vendimi i KQZ-së rezultoi pasi që Gjykata Supreme e Kosovës, vendosi që votimi të përsëritet në 24 vendvotime të kësaj komune për arsye të parregullsive të gjetura.

KQZ-ja sot nuk kanë publikuar rezulatet e zgjedhjeve të përsërituar të dielën, në 5 komunat e Kosovës.

Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, votat janë ende duke u numëruar, por ka shprehur besimin se sonte në mbrëmje do të mund të dalin me rezultate preliminare.

Megjithatë KQZ-ja ka bërë të ditur rezultatin preliminar të përqindjes së daljes së votuesve në rivotim në pesë komuna të Kosovës.

Nga këto të dhëna vërehet një pjesëmarrje më e vogël e zgjedhësve se sa më 12 dhjetor.

Sipas KQZ-së , dalja e votuesve sipas komunave është si në vijim: në Deçan kemi gjithsej 12.881 votues, apo 34. 59 për qind, në Drenas 27 mijë e 377 votues, apo 58.68 për qind, në Lipjan, në një qendër të votimit, kanë votuar 1 256 votues apo 53.31 për qind, në Skenderaj 30 mijë e 379 votues apo gjithsej 61.60 për qind dhe në Malishevë, në një qendër votimi, kanë votuar 1 120 votues, apo 36.36 për qind”.