Shkurt.ch

Më 2014 nuk ka pasaportë zvicerane pa kaluar testin

Në Kantonin e Bernës nuk do të mund të bëheni shtetas zviceran vetëm me njohjen e gjuhës gjermane, por duhet të keni njohuri edhe për qytetin e Bernës dhe Zvicrën.

Tashmë po përgatitet një katalog me pyetjet për të huajt që dëshirojnë të natyralizohen në këtë kanton.

Për këtë kishte marrë vendim vitin e kaluar në parim Këshilli i Qytetit (Grosse Rat), tashmë qeveria ka vendosur për ndryshime të detajeve.

Ndërkohë të huajt të cilët dëshirojnë të bëhen zviceranë në Kantonin e Bernës duhet të ndjekin një kurs natyralizimi prej 12 deri në 18 leksione nga 45 minuta.

Një grup punues i përbërë nga përfaqësues të qytetit dhe kantonit janë duke punuar në përgatitjen e testeve të natyralizimit për të huajt.

Grupi do të hartojë një listë të gjatë të pyetjeve me tema nga historia, sigurimi social, etj. Nëse 60 për qind e pyetjeve marrin përgjigje të sakta, atëherë do të pajiseni me pasaportë zvicerane, duke paguar nga 260 deri në 390 franga.

Qyteti i Bernës ka menduar edhe për të huajt të cilët e njohin mirë Zvicrën. Ata nuk janë të detyruar të ndjekin kursin e shtetësisë, por direkt mund të paraqiten për t’iu nënshtruar testit të shtetësisë, duke kursyer 260-390 franga të kursit.

Sido që të jetë, në vitin 2014 nëse keni kaluar testin e shtetësisë do ta merrni pasaportën zvicerane. Nga ana tjetër, kriteret e tjera të marrjes së shtetësisë nuk kanë ndryshuar.

Do të testohen aftësitë e komunikimit, gjuha me shkrim dhe me gojë. Përveç kësaj, një i huaj duhet të jetë i integruar mirë, të ketë jetuar më shumë se 12 vjet në Zvicër, pa ndonjë dosje penale, pa borxhe dhe të jetë në gjendje të mirë financiare, shkruan “Berner Zeitung”.