Kosova

Më 18 shtator nis Censi 2023 në Shqipëri

Zvicra kontribuon për herë të tretë përmes, statistikave vendore dhe rajonale

Më 18 shtator do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave. Kryeministri Edi Rama është sot i pranishëm në konferencë hapëse për Censin. Regjistrimi i Popullisë dhe Banesave nis të hënën e ardhshme dhe do të zgjasë 6 javë. Do të përfshihen mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), përcjell albinfo.ch.

Më 18 shtator do të nisë Censusi i Popullsisë dhe Banesave!  Mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave dhe të dhënat do të mblidhen në 6 javë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot (më 13 shtator) i pranishëm në konferencë hapëse për Cencin dhe gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën që të kryhet sipas standardeve të BE-së.

Për kryeministrin, institucioni i INSTAT tashmë është çliruar nga politika, ndërsa theksoi se prej 4 vjetësh kanë vijuar përgatitjet për kryerjen e këtij procesi. Kreu i qeverisë nënvizoi se është me rëndësi që numri i shqiptarëve që jetojnë në vend të jetë real.

“Është e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real, që askush të mos thotë as që janë shumë dhe e i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak, e duke qenë pak, jeni një vend që nuk meritonin vëmendjen që pretendoni”, tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe te minoritetet në vend dhe tha se ndihet krenar për mënyrën sesi shteti ynë i trajton, e shtoi se ligjin për minoritetet e kemi optimal dhe rrezatues. Një mesazh të fshehur e kishte edhe për Athinën zyrtare, e cila akuzon qeverinë shqiptare për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Rama e bëri të qartë se leksion Shqipërisë për minoritetet nuk i jep asnjë vend.

I pranishëm në konferencë ishte edhe ambasadori Luigi Soreca, i ngarkuar me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri. Për kryeministrin Rama, prania e tij është një ogur i mirë për procesin. Vetë Soreca tha se është e rëndësishme që ky Cens të ketë informacion të besueshëm statistikisht. Sipas kreu të delegacionit të BE-së, janë mobilizuar 4.8 milionë euro në grante për INSTAT për mbështetjen e këtij procesi.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Do të përfshihen mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do të kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.

Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet më 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.

Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.